Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut, e organizuar nga Lëvizja Evropiane, dje ishte nikoqire e sesionit të 17 të Grupit të Punës 4 – Drejtësia, Liria dhe Siguria (Kapitulli 24) me temë “Efikasiteti i reagimit institucional në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndaj rekomandimeve të BE-së për konfiskimin dhe menaxhimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, transmeton Portalb.mk.
Dialogu u përqendrua në çështjet dhe sfidat kryesore në procesin e harmonizimit të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me standardet evropiane në aspektin e ngrirjes, konfiskimit dhe menaxhimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, zbulimit të boshllëqeve ligjore dhe dobësive sistemike që e vështirësojnë zbatimin efektiv të tyre, si dhe koordinimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar në monitorimin dhe shkëmbimin e të dhënave mbi pronat që lidhen me krimin e organizuar.
“Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është treguesi i parë që Bashkimi Evropian e kontrollon në procesin e anëtarësimit kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit”, tha drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Sllobodan Ivanovski, në fjalimin e tij mbi këtë temë. Sipas tij, korniza normative nuk nënkupton edhe efikasitet. Parakushti kryesor për konfiskimin e suksesshëm të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është rrjetëzimi i institucioneve përmes digjitalizimit dhe një platformë e përbashkët për efikasitetin e tyre më të madh dhe nga ku institucionet do të jenë në gjendje të tërheqin të dhëna për të gjithë pronën në kohën e duhur, me qëllim parandalimin e zhdukjes së pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme të cilën personat që mësojnë se kundër tyre po iniciohet një procedurë paraprake hetimore menjëherë e transferojnë në emrat e personave të tjerë”. Ai theksoi se është e papranueshme që një shkresë, siç po ndodh tani, të udhëtojë me muaj nga një institucion në tjetrin dhe prej andej të rrjedhin informacione që e zvogëlojnë efikasitetin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Krahas digjitalizimit e nevojshme është që të përmirësohet koordinimi institucional, qasja në informacion, burimet dhe kapacitetet, si dhe lidhshmëria ndërkombëtare, sepse siç tha ai, “çdo euro e humbur do të thotë një humbje për drejtësinë, dhe çdo euro e kthyer – një fitore për qytetarët”, theksoi Ivanovski.
Drejtoresha e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara, Irena Ilievska, tha se “konfiskimi i pasurisë së fituar nga krimi është çelësi i sundimit të ligjit dhe një instrument i fuqishëm me të cilin dërgojmë një mesazh se krimi nuk është një profesion i leverdisshëm”. Ajo theksoi se në këtë mënyrë jo vetëm që do të parandalohen përfitimet e krimit, por edhe do të rikthehet besimi në institucione, ndërsa një lajm i mirë në këtë drejtim është se Këshilli i ri drejtues i Agjencisë përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve përkatëse, në mënyrë që të mund të ndërmerren veprime të koordinuara. Ilievska njoftoi se që nga sot do të hyjnë në fuqi ndryshimet në Ligjin për Konfiskimin, me të cilat më në fund automjetet e sekuestruara përkohësisht nga Agjencia do të jenë të disponueshme për të gjitha institucionet, dhe jo vetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme siç ishte deri më tani, por ata paraprakisht duhet të marrin pëlqimin nga pronarët e automjeteve të sekuestruara përkohësisht, ose nga institucioni që ka marrë vendimin për sekuestrimin e tyre. Për momentin ka mbi 1.700 automjete të konfiskuara.
Në diskutimin dinamik dhe konstruktiv, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve përkatëse që kanë të bëjnë me menaxhimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, ekspertë, organizata qytetare dhe një pjesë e komunitetit akademik, një mesazh mbresëlënës dërgoi sekretari shtetëror në MPB, Sasho Petrushevski, i cili tha se kthimi i pasurisë së konfiskuar tek shteti dhe tek qytetarët është një temë e pashtershme, sepse për ata nuk ka fare rëndësi që kriminelët shkojnë në burg nëse pasuria e madhe e fituar në mënyrë të paligjshme mbetet në duart e tyre.
Petrushevski theksoi se Konventa Kombëtare është një platformë e shkëlqyer në të cilën zhvillohet një dialog i hapur me të gjithë ekspertët e përfshirë në drejtim të zbatimit të ligjeve, dhe jo vetëm harmonizimit të tyre. Ai e përshëndeti idenë e disponueshmërisë së automjeteve të konfiskuara për të gjitha institucionet shtetërore, të cilat shpenzojnë miliona denarë për blerjen e automjeteve, përderisa me mijëra automjete vjetërsohen në vendet ku ruhen automjetet e konfiskuara në kushte mjaft modeste dhe joadekuate.
Në këtë u ndërlidh edhe drejtori i Drejtorisë për Integrimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Andrej Llepavcov, i cili tha se pikërisht për këtë arsye ka pritshmëri të larta nga ky debat, sidomos pasi të miratohen dhjetë rekomandimet e grupit të punës përgjegjës për Kapitullin 24 mbi drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Profesori i sigurisë Trpe Stojanovski arriti në përfundimin se, edhe pse Maqedonia e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit e para në rajon, për fat të keq, ajo nuk i ndoqi reformat, kështu që, sa i përket konfiskimit, ne jemi në grupin më të ulët të rajonit, shumë prapa vendeve të BE-së. “Duke parë fqinjtë tanë, Shqipëria ka bërë përparim të madh në këtë fushë, ndërsa ne ende po përballemi me probleme të mëdha, siç janë mungesa e digjitalizimit, problemet me kuadrin, etj.”, tha Stojanovski, duke theksuar se pas çdo ndryshimi të qeverisë një pjesë e madhe e kuadrove që krijohen gjatë një periudhe të gjatë kohore gjithashtu ndryshon, ndërsa pyetja është nëse ne si vend mund t’i përballojmë këto ndryshime dhe humbjen e kuadrove tashmë të trajnuar. Sa i përket buxheteve të institucioneve, ai tha se Prokuroria Publike merr shumë më pak se sa është përcaktuar me ligj, gjë që ndikon në luftën kundër krimit financiar.
Prokurorja publike Lile Stefanova, nga ana tjetër, e trajtoi efikasitetin si një çështje për të gjithë të pranishmit. Ajo theksoi se edhe pse pas kaq shumë vitesh legjislacioni është harmonizuar dhe janë miratuar një numër marrëveshjesh dhe konventash ndërkombëtare, ne ende po hasim në vështirësi me zbatimin e disa ligjeve. Duke folur konkretisht për punën e Prokurorisë Publike, ajo tha se ka ligje që dalin përtej kornizës, domethënë që jepen afate joadekuate.
Në fund të sesionit Koordinatorja Kombëtare, Mileva Gjurovska, përfundoi se dialogu i realizuar nga të gjitha palët e interesuara pritet të kontribuojë në transparencë, llogaridhënie dhe profesionalizëm më të madh në luftën kundër krimit të organizuar, sidomos në fushën e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme si një hap qenësor në ndërtimin e një shteti ligjor, duke e ditur se pothuajse 50 përqind e rekomandimeve të BE-së i referohen pikërisht sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.