Qendra për Menaxhim me Kriza në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se deri në ora 09:30 janë të regjistruara katër zjarre aktive, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 35 zjarre në hapësirë të hapur në mbarë vendin: 4 aktive, 4 nën kontroll dhe 27 të shuara”, raportoi Qendra.
Zjarret aktive janë në fshatin Niviç të Vasilevës, në fshatin Greshnicë të Brodit, fshatin Careviq e Smolanë në Prilep dhe në fshatin Vishticë në Likovë.
Qendra sqaroi që katër zjarret nën kontroll janë në Veles, Dojran, Demir Hisar dhe Brod.
Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.
Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian.
Për të zbutur këtë situatë, me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).