“Në dritën e diturisë” ishte motoja e aktivitetit të përbashkët kulturor që Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum dhe Organizata Humanitare El Hilal e organizoi për nder të 7 Marsi, Ditës së Mësuesit, në kuadër të aktiviteteve programore në Sofrën e Ramazanit, në Shkollën Ndërkombëtare “Maarif” në Tetovë, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i shoqatës humanitare El Hilal, Behixhudin Shehapi, theksoi se është e një rëndësie të veçantë që bashkërisht me një aktivitet të begatshëm të kujtojmë vlerën dhe sakrificën e të gjithë pishtarëve të arsimit.
Sadije Aliti, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, në fjalën përshëndetëse e vlerësoi lartë këtë bashkëpunim human në nder të festës së mësuesit, për të kujtuar vlerën e dijes e të edukimit të brezave, për të gjithë ata që derdhën djersë e dhanë mund në këtë mison shumë fisnik.
Për punën e mësimdhënësve disa dekadëshe në procesin e arsimimit dhe edukimit të brezave shoqata i nderoi me mirënjohje për dy doajenë të arsimit: Sulejman Mehazin nga Tetova dhe Shabi Bajramin nga Haraçina e Shkupit.
Donacion librash u dhuruan për bibliotekën e Shkollës Ndërkombëtare “Maarif” në Tetovë dhe Shkollën Fillore “Mihail Grameno” të fshatit Brezë të Shkupit.
Në këtë aktivitet u lexuan edhe poezi të peotëve pjesëmarës Adem Abdullahu, Behare Neziri, Ejup Ajdini, Rami Kamberi, Bajramali Selimi, Muaxher Haruni, Lirim Alija, Merita Abazi, Mejreme Tusha, Merita Isaki, Emira Ibishi, Sulejman Mehazi, Ezana Qamili dhe përfaqësuese nga shoqata Allaxha, dhe me një koncert të muzikës mistike, të interpretuar me mjeshtri nga profesor Abas Jahja me grupin e tij.