Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, së bashku me Agjencinë Franceze për Zhvillimin e Mediave – CFI dhe Ministrinë Franceze për Evropën dhe Punë të Jashtme kanë filluar realizimin e nismës rajonale Kamioni Mediatik Ballkanik. Kjo nismë filloi sot nga Prizreni, për të vazhduan në qytetet tjera, transmeton Portalb.mk.
“Kamioni Mediatik Ballkanik është një platformë udhëtuese në kuadër të secilës eksplorohen lajmet, fotografitë dhe të menduarit kritik. Në çdo vend, kamioni ndalon në hapësira publike kryesore dhe ofron projektime, kuize dhe diskutime se si prodhohen, shpërndahen dhe perceptohen informacionet. Kjo është një mundësi për t’u mbledhur së bashku, për të shkëmbyer ide dhe për t’i parë lajmet nga një këndvështrim tjetër. Qëllimi është të promovohet të menduarit kritik, njohuritë mediatike dhe dialogu i hapur rreth rolit të informacionit dhe ndikimit të dezinformimit në jetën e përditshme”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Kjo nismë që është në kuadër të projektit “Horizonte të Përbashkëta”, do të zbatohet në 20 qytete të Ballkanit Perëndimor, duke filluar sot me Prizrenin, nesër me Mitrovicën, pastaj në Pejë e më 11 shtator në Prishtinë. Pastaj vazhdon në qytete tjera ballkanike.
“Të gjithë jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj lajmeve të ndryshme – në rrjetet sociale, në mediat e shkruara ose thjesht në rrugë. Mirëpo, si mund ta dallojmë çfarë është e vërtetë, çfarë është dizinformim dhe çfarë është plotësisht e rreme? Njohuritë mbi mediat dhe informacionin na mësojnë të dallojmë faktet nga trillimet, të kuptojmë se si prodhohet informacioni dhe të përforcojmë aftësitë e të menduarit kritik”, thuhet në njoftimi ne organizatorëve.