Ndryshimet në Kodin Penal, Sabina Fakiq: Dekriminalizohet një spektër i gjerë i abuzimeve me tenderët

Ndryshimet e reja në Kodin Penal që lidhen me prokurimet publike, nuk e mbushin boshllëkun ligjor, por e përkeqësojnë situatën. Kështu thotë për Prizma, Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Civile, përfaqësuese e Platformës së organizatave qytetare kundër korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

Javën e kaluar në Kuvendin e RMV-së u mbajt debat publik për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal. Një nga çështjet e diskutimit ishte paragrafi 5 i nenit 353 për abuzimin me detyrën zyrtare dhe kompetencat, që lidhet me prokurimet publike dhe dëmet ndaj buxhetit dhe fondeve publike. Ky paragraf u hoq plotësisht në vitin 2023. Tani po rivendoset, por teksti është shumë i ndryshëm nga ai i mëparshmi.

Gjatë debatit publik, përfaqësuesja e Platformës së organizatave qytetare kundër korrupsionit, Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Civile, që monitoron prokurimet publike prej dekadash, tha se ndryshimet e reja nuk mbushin boshllëkun ligjor, por krijojnë dëm më të madh.

Sa i përket propozimit për veprën penale “abuzim me detyrën zyrtare dhe kompetencat” në prokurimet publike, Fakiq thotë se propozuesit pretendojnë se ndryshimet do të ashpërsojnë politikën penale.

“Por analiza e nenit të propozuar 353 paragrafi 5 tregon se rezultatet do të jenë të kundërta. Me këto ndryshime, përgjegjësia penale në prokurimet publike zbatohet vetëm për dy raste: kryerja e prokurimit të mallrave, shërbimeve ose punëve pa procedurë përkatëse, ose ndryshimet në kontratën për prokurimin gjatë vlefshmërisë mbi pragun ligjor. Këto raste janë jashtëzakonisht të rralla dhe praktikisht pothuajse nuk ndodhin. Në praktikë, më të shpeshta janë favorizimet e kompanive, përshtatja e dokumenteve për ofertues të zgjedhur, trajtim selektiv, kontrata pa nevojë reale, keqpërdorime me qëllim, tolerimi i paligjshmërisë në zbatimin e kontratave etj. Këto janë format më të zakonshme të abuzimeve, të dokumentuara në monitorimin tonë të gjatë të prokurimeve publike, dhe jo bazat e përfshira në propozim”, tha Fakiq.

Ajo thotë se duke përfshirë vetëm këto dy raste, të gjitha format e tjera të abuzimit në prokurimet publike që nuk përfshihen, praktikisht dekriminalizohen, që sipas saj, ky është problemi më i madh i propozuar në ndryshimet ligjore.

Nëse propozohet dhe miratohet neni 353 në formën e propozuar nga deputetët, Fakiq thotë se fokusi i përgjegjësisë penale vetëm në dy raste, që nuk ndodhin praktikisht, krijon pasiguri ligjore dhe mund të ndërpresë të gjitha rastet aktuale penale për prokurimet publike. Sipas informacioneve publike, asnjë rast aktual nuk zhvillohet mbi bazat e përfshira në këto dy situata.

“Nëse ndryshimet miratohen, pritet rritje e korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike. Prokurorët nuk do të kenë bazë ligjore për të vepruar, gjykatat nuk do të mund të japin dënime me burg, dhe zyrtarët do të kuptojnë se rreziku i përgjegjësisë reale është minimal, gjë që mund të nxisë më shumë korrupsion”, tha ajo.

Duke pasur parasysh këtë, Fakiq thotë se propozojnë që, në vend të tekstit të propozuar për nenin 353, të rikthehet teksti i mëparshëm i nenit 353, i hequr me ndryshimet e shtatorit 2023.

Ndryshe nga shtatori 2023, kur ndryshimet e Kodit Penal u miratuan shpejt dhe pa debat publik, tani është pozitiv fakti që Kuvendi organizoi debat dhe përfshiu ekspertët dhe publikun e gjerë.

“Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse sugjerimet dhe propozimet do të merren seriozisht, apo debati do të mbetet vetëm formal”, tha Fakiq.

Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Kodit penal është parashtruar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së: Bojan Stojanoski, Ljupço Prenxhov, Toni Jarevski, Brane Petrushevski, Dragana Bojkovska, Dafina Stojanoska, Igor Zdravkovski, Lidija Petkoska dhe Martin Stojanovski.

Sipas tyre, me ndryshimet e reja në Kodin Penal do të shmangen pasojat e mundshme të dëmshme në të ardhmen nga ndryshimet ligjore të miratuara në shtator të vitit 2023, ndërsa propozimi synon gjithashtu përmbushjen e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Keqpërdorim tenderiKodi PenalOJQ Qendra për Komunikime Civile (QKC)Prokurime (furnizime) publike - tenderë