NATO-ja në mbështetje të Polonisë pas rënies së një rakete të dyshuar ruse

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu solidaritet me Poloninë pasi një objekt fluturues, për të cilin qeveria në Varshavë dyshon se është raketë ruse, ra pranë kufirit me Ukrainën, transmeton Portalb.mk.

Rutte diskutoi me kryeministrin polak Donald Tusk për “shkeljen e hapësirës ajrore polake nga një raketë ruse”.

Rute tha se si Polonia, ashtu edhe NATO-ja aktivizuan sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore dhe tokësore.

“Shprehim solidaritet me Poloninë dhe do të vazhdojmë të forcojmë gatishmërinë tonë për mbrojtje nga çdo kërcënim, përfshirë sulmet me raketa. Ky incident është një tjetër akt i pamatur i Rusisë dhe pasojë e rrezikshme e luftës së saj kundër Ukrainës”, deklaroi Rutte.

Kryeministri Tusk tha më herët se gjithçka tregon se objekti që ra gjatë natës në Poloni, pranë kufirit ukrainas, ka të ngjarë të jetë raketë ruse.

“Gjithçka tregon se bëhet fjalë për një raketë ruse të lundrimit X-101, por nuk duam të paragjykojmë rezultatet e hetimit të plotë”, tha Tusk në qytetin lindor Lublin, gjatë vizitës në vendin ku ra objekti.

Ushtria polake njoftoi se objekti i paidentifikuar hyri në hapësirën ajrore të Polonisë dhe ra gjatë sulmeve të fuqishme ajrore ruse ndaj Ukrainës fqinje.

Komanda Operative e Forcave të Armatosura bëri të ditur se objekti ra në një zonë të pabanuar pranë fshatit Tarnava Kolonia, rreth 90 kilometra në jug të Lublinit.

Donald TuskMark RutteNATO (M)Polonia