MSH: Nuk ka raste të reja të etheve të Nilit Perëndimor në RMV

Deri te Instituti për Shëndet Publik nuk ka raste të reja të konfirmuara laboratorike të etheve të Nilit Perëndimor, kumtoi Ministria e Shëndetësisë, njofton Portalb.mk.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive janë pranuar tre pacientë te të cilët ekziston dyshim për sëmundjen dhe për të cilët po priten rezultatet nga analizat laboratorike.

“Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin për Shëndet Publik dhe institucionet shëndetësore, vazhdon me mbikëqyrje të përforcua laboratorike dhe me kohë do ta informojë opinionin për të gjithë informatat e reja”, thuhet në kumtesën e Ministrisë

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore. Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat. Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Ethet e Nilit PerëndimorMinistria e Shëndetësisë (MSH)