Deri më 30 korrik 2026, në vend janë konfirmuar gjithsej 13 raste me ethe të Nilit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile janë të hospitalizuar 10 pacientë me infeksion të konfirmuar, prej të cilëve tre janë në gjendje kritike shëndetësore.
Për shkak të situatës aktuale epidemiologjike dhe bazuar në vlerësimin profesional të rrezikut, Ministria e Shëndetësisë e ngarkoi Qendrën për Shëndet Publik – Shkup që të kryejë dezinfektim shtesë tokësor, përkatësisht dezinsektim adulticid kundër mushkonjave.
Trajtimi i jashtëzakonshëm u krye gjatë natës si masë shtesë parandaluese për zvogëlimin e rrezikut të përhapjes së infeksionit.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore. Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat. Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.