Dy pacientët me ethe të Nilit Perëndimor në Shkup janë në gjendje kritike

Dy nga shtatë pacientët e shtruar në Klinikën Infektive me ethe të Nilit Perëndimor janë në gjendje kritike dhe ndodhen në ventilim mekanik në repartin e kujdesit intensiv, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Klinikës, Fadil Cana informoi se po priten rezultatet nga Instituti i Shëndetit Publik për tre pacientë të tjerë, të cilët janë pranuar me diagnozë të sëmundjes akute të trurit dhe cipave të trurit.

Ai theksoi se të shtatë pacientët janë nga disa lagje të Shkupit, ndërsa vetëm një prej tyre ka udhëtuar në Greqi.

Tre pacientët për të cilët po bëhen analiza shtesë për të përcaktuar nëse janë të infektuar me virusin janë gjithashtu nga Shkupi.

“Pacienti 66-vjeçar është shtruar më 26 korrik dhe, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe sipas vlerësimit të mjekëve të repartit të kujdesit intensiv, është intubuar dhe vendosur në ventilim mekanik. Ai nuk ka udhëtuar jashtë shtetit dhe ka shumë sëmundje shoqëruese. Të gjithë pacientët e tjerë janë mbi 60 vjeç dhe kanë shumë sëmundje shoqëruese. Ata janë stabilë dhe po trajtohen sipas të gjitha protokolleve bashkëkohore mjekësore”, tha Cana.

Ai shtoi se gjendja mund të përkeqësohet edhe nëse pacientët e shtruar fillimisht kanë qenë në gjendje stabile dhe se askush nuk mund të parashikojë se si do të ndikojë virusi në organizëm.

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore. Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat. Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Ethet e Nilit Perëndimor