Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM” Tetovë mbrëmë në Shtëpinë Muze në fshatin Xhepçisht realizoi aktivitetin letrar “Mozaik në vargje mozaik në gur” të akademik Prof. Izet Zeqiri, shkruan Portalb.mk.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë kulturore, ku morën pjesë poetë tetovar, anëtarë të shoqatës, të cilët lexuan krijimet e tyre poetike, duke krijuar një mozaik vargjesh dhe ndjesish artistike. Ambienti autentik i shtëpisë muze, i pasur me eksponate dhe relikte nga kultura dhe tradita shqiptare, i dha ngjarjes një dimension të veçantë simbolik dhe estetik.
Në kuadër të aktivitetit u prezantuan edhe punimet dhe pikturat e Prof. Izet Zeqirit, të cilat pasqyrojnë ndjeshmërinë e tij artistike dhe përkushtimin ndaj vlerave kulturore kombëtare.
Veprimtaria “Mozaik në vargje-mozaik në gur” u shndërrua në një takim domethënës mes fjalës poetike, artit pamor dhe kujtesës kulturore, duke nderuar kontributin e vyer të profesorit Izet Zeqirit dhe duke dëshmuar misionin e Shoqatës së Shkrimtarëve “OENEUM” për promovimin e letërsisë shqipe dhe vlerave kulturore shqiptare.
Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, Sadije Aliti, nderoi me mirënjohje, akademik Izet Zeqirin, për kontribut të çmueshëm në shkencë, kulturë dhe arte pamore. Arti flet më bukur kur bashkohen tradicionalja, mozaiku i punimeve dhe vargu poetik.