Nga 18 deri më 24 nëntor shënohet Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët dhe Dita Evropiane e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët, transmeton Portalb.mk.
Kjo fushatë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimin për rreziqet ndaj shëndetit të njerëzve dhe kafshëve, si dhe për mjedisin jetësor si pasojë e rezistenca antimikrobike, si dhe promovimin e praktikave të mira me qëllim kufizimin e shfaqjes dhe përhapjes së mikroorganizmave rezistentë në mbarë botën.
Siç raportohet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përdorimi i tepërt ose joadekuat mund të shkaktojë shfaqjen e mikroorganizmave rezistentë që nuk reagojnë ndaj trajtimit me antibiotikë, një fenomen që në dekadat e fundit është bërë gjithnjë e më i shpeshtë. Ky fenomen i njohur si rezistencë antimikrobike, i cili përbën një kërcënim shumë serioz për kontrollin dhe zhdukjen e sëmundjeve në mbarë botën, është shqetësim primar sa i përket shëndetit të njerëzve dhe kafshëve.
Këtë vit tema është “Veproni tani: Mbroni të tashmen tonë, siguroni të ardhmen tonë” (Act Now: Protect Our Present, Secure Our Future).
“Kjo temë e thekson nevojën emergjente për të ndërmarrë veprime të guximshme dhe të përbashkëta për ta luftuar rezistencën antimikrobike. Rezistenca antimikrobike tashmë po e dëmton shëndetin tonë, sistemet ushqimore, mjedisin jetësor dhe ekonomitë. Nuk është një sfidë për të ardhmen. Ajo po ndodh tani. Infeksionet rezistente ndaj barnave janë gjithnjë e në rritje, por ndërgjegjësimi, investimet dhe veprimi nuk janë të mjaftueshme”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Pak kohë më parë Meta.mk realizoi një intervistë me doktor Dukagjin Osmani, koordinatorin kombëtar për rezistencën antimikrobike pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Ai paralajmëroi se pacientët nuk duhet të marrin antibiotikë pa rekomandimin e mjekut.
“Pacienti thjesht arrin në përfundimin se është i sëmurë dhe se duhet të marrë antibiotik, duke menduar se kjo do ta ndihmojë të ndjehet më mirë. Por ai duhet të shkojë te mjeku, i cili do të vlerësojë nëse bëhet fjalë për infeksion bazuar në një analizë mikrobiologjike, ndërsa pastaj do ta provojë ndjeshmërinë e atij bakteri ndaj një antibiotiku të caktuar, e tek pastaj të përdoret. Duhet të gjendet antibiotiku i duhur që do të merret për një periudhë të caktuar kohore dhe në një dozë të përcaktuar saktësisht. Vetëm në këtë rast kemi përdorim racional të antibiotikëve. Çdo gjë tjetër është keqpërdorim”, tha ai.
Ai tha se në vendin tonë nuk kemi një sistem gjithëpërfshirës që përfshin konsumin si në spital ashtu edhe në ambientet ambullatore.
“Nuk kemi evidencë për antibiotikët që shiten ose që përshkruhen. Në nivel botëror OBSH-ja ka dhënënjë mënyrë për ta llogaritur konsumin, që quhet doza ditore për 100.000 banorë. Sipas disa studimeve konsumi i antibiotikëve në Maqedoni është në një nivel të lartë krahasuar me atë në BE. Në institucionet spitalore duhet të kenë një komitet të përbërë nga ekspertë – një mjek klinik, një farmakolog, një mikrobiolog, që do t’i targetonte antibiotikët që duhet të përdoren për diagnoza të ndryshme. Duhet të përgatiten udhëzues për përdorimin racional të antibiotikëve. OBSH-ja ka një listë për klasifikim sipas së cilës, për shembull, në mbrojtjen shëndetësore primare të përdoret penicilina, që një spektër të ngushtë, por që nuk jep mundësinë për të krijuar rezistencë antimikrobike”, tha Osmani.