Ndërsa anija kozmike Artemis II drejtohet drejt anës së largët të hënës pasi ka lënë orbitën e Tokës, katër astronautët në bord kanë diskutuar progresin e misionit deri më tani, transmeton Portalb.mk.
“Ekuipazhi ynë është i shëndetshëm dhe anija jonë po performon shumë mirë”, tha Dr. Lori Glaze, një zyrtare e NASA-s që drejton zhvillimin dhe operacionet e programit Artemis. Glaze, sipas BBC-së, theksoi se Artemis II është një fluturim prove dhe se ekipi dëshiron të “mësojë sa më shumë të jetë e mundur” rreth anijes.
Astronautët ende nuk kanë folur drejtpërdrejt me familjet e tyre nga hapësira, por NASA do të “gjejë kohën” për ta bërë këtë së shpejti.
Menaxheri i anijes kozmike, Howard Hu, pranon se nuk ka fjetur shumë në 24 orët e fundit, por thotë se ekuipazhi pati një “nisje perfekte” dhe shton se sistemet e tyre të mbështetjes së jetës po funksionojnë “saktësisht siç është menduar”.
I ashtuquajturi “tualet hënor” u prish sapo Artemis 2 arriti në orbitën e Tokës të mërkurën në mbrëmje. Kontrolli i Misionit e udhëhoqi astronauten Christina Koch nëpër truket hidraulike përpara se më në fund ta vinte në punë.
Të flesh në hapësirë është “komike, por më e rehatshme nga sa mund të mendoni”, thotë komandanti Reed Wiseman, duke shtuar se Koch fle “i varur si një lakuriq nate”.
Duke parë Tokën nga mijëra kilometra larg, Wiseman thotë se mund të shihte “të gjithë planetin nga poli i veriut në polin e jugut”, duke e përshkruar atë si “momentin më mbresëlënës që na habiti të katërve”.
I frymëzuar nga pamja, piloti Victor Glover u bën thirrje amerikanëve të bashkohen pas misionit, duke thënë se i dha ekipit diçka që “të gjithë do ta mbajmë për pjesën tjetër të jetës sonë”.