MMPT: Zyrtarizmi i gjuhës shqipe vetëm për propagandë parazgjedhore, nuk përdoret në institucione

Nisma qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT) sot përmes një konference për shtyp ka reaguar përsëri për mos pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nga ana e bankave në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.

Nga MMPT thonë se kanë kaluar muaj prej kur Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kërkon mendim nga Ministria e Drejtësisë (si propozuese e Ligjit për gjuhët) nëse ky ligj i obligon edhe bankat që të përdorin gjuhën shqipe në komunikimin me klientët e tyre.

“Ministri Krenar Lloga ishte i shpejtë kur propozoi ligjin për ndryshime në kodin penal, me të cilin mundësohet amnestimi i veprave kriminale, por nuk dihet a ka gjetur kohë të përgjigjet për Gjuhën shqipe”, thonë nga MMPT.

Në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe ata theksojnë se u janë drejtuar disa institucioneve përfshirë edhe Avokatin i Popullit, Naser Ziberi nga zyra e të cilit i informuan që kjo çështje nuk është nën ingerencat e tyre.

“Që ironia të jetë edhe më e madhe, përgjigjen nga Avokati i Popullit e pranuam jo në gjuhën shqipe, edhe pse Naser Ziberi u emërua në këtë pozitë pasi në zgjedhjet paraprake ishte kandiduar si Kryeministri i parë shqiptar””, thonë nga MMPT.

Ata theksojnë se për të disatën herë konstatojnë se gjuha shqipe nuk gjen zbatimin e paraparë me ligj.

“Kryeministri shqiptar, Talat Xhaferi, do të mbahet mend për qortimet e administratorëve në policinë e Tetovës dhe grindjet me gazetarët, por jo për ndonjë shërbim ndaj shqiptarëve. Pyesim publikisht Krenar Llogën dhe Talat Xhaferin a janë bankat në RMV mbi kushtetutën e shtetit dhe pse shqiptarët vazhdojnë të mbeten të diskriminuar edhe nga institucionet që udhëhiqen nga vetë shqiptarët duke mos e respektuar gjuhën e një populli shtet formues? Pyesim Krenar Llogën a i është përgjigjur Fatmir Isenit dhe nëse po pse nuk bëhet publike?”, thonë nga MMPT.

Për muaj me radhë Ministria e Drejtësisë nuk i jep përgjigje pyetjes për të cilën opinioni është i interesuar: A duhet bankat e Maqedonisë së Veriut të përdorin gjuhën shqipe? Për këtë pyetje dhe nëse mund të gjobisin bankat që nuk e përdorin gjuhën shqipe, në pritje janë edhe nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Edhe pse se Agjencia për Zbatimin e Gjuhës thotë se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk e ka të qartë nëse mundin ose jo t’i gjobitin bankat për mos zbatimin e gjuhës shqipe, ata presin mendim nga Ministria e Drejtësisë që të mund të veprojnë, por nuk tregojnë nëse kanë mare ndonjë përgjigje.

Ministria e Drejtësisë me muaj nuk i përgjigjet pyetjes së Portalb.mk nëse Ligji për përdorimin e gjuhëve bankat private të zbatojnë gjuhën shqipe.

Në këtë moment kur vendi sapo ka dalë nga dy pale zgjedhje dhe është në pritje të formimit të Qeverisë së re, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me këtë çështje, nëse do të zgjidhet ose jo, marrë parasysh faktin se nuk dihet kush dhe si do të udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë pas formimit të Qeverisë

Shoqata Më Mirë për Tetovën (MMPT) nxori në pah problemin me Bankat në Maqedoninë e Veriut që nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe.

Agjencia për Zbatim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës ShqipeBanka - BankëGjuha shqipeIniciativa Më mirë për TetovënInspektorati i Ligjit të GjuhëveKrenar LlogaLigji për GjuhëtMinistria e Drejtësisë (MD)Talat Xhaferi