Policia rrugore nganjëherë ngacmon seksualisht vajzat në RMV, MPB thotë se gjitha sjelljet e pahijshme regjistrohen

Portalb.mk kreu një anketë lidhur me ngacmimet nga policia rrugore në Maqedoninë e Veriut gjatë ndalesave që ju bëjnë shoferëve në trafik. Nga 129 të anketuar, 11 kanë deklaruar se kanë përjetuar ngacmime, 5 prej tyre ishin ngacmime seksuale ndaj vajzave ndërsa 6 ngacmime verbale (3 djem, 3 vajza). Asnjë nga këto raste nuk është raportuar për shkak të mosbesimit në institucione dhe paragjykimeve. Në Ministrinë e Brendshme për gati dy vite janë regjistruar 36 raste kundër policëve të trafikut që lidhen me sjellje joprofesionale dhe të pahijshme. Shoqëria civile apelon që policia të ketë masa më efikase për zbulimin e këtyre rasteve dhe sanksione më të mëdha, ndërsa inkurajojnë qytetarët t’i paraqesin këto raste.

“Polici ma kërkoi Instagramin”

Ishte muaji gusht i këtij viti kur 29 vjeçarja nga Kumanova u nis për në punë në Shkup me makinën e saj, derisa në hyrje në fshatit Haraçinë e ndaloi policia dhe i kërkoi patentën e shoferit. Ajo rrëfeu për Portalb.mk çfarë përjetoi.

“Për fat të keq nuk e kisha patentën me vete pasi e kisha humbur portofolin para një dite. I tregova se nuk kam asnjë dokument me vete pasi i kisha humbur, dhe i tregova se shkoj në punë. Më tha a e din sa është dënimi, më tregoi se 100 euro. I thash në rregull shkruaje”, tregoi kumanovarja.

Ajo tha se më pas polici filloi ta ngacmojë dhe të ja kërkojë Instagramin.

“Më tha a nuk ke ndonjë kontakt që mund të ngelë diçka mes neve, edhe pse i thash jo, ai prapë insistoi të më tregojë se dënimi është 100 euro, në fund më tha në rregull shko, por më ke borxh një kafe dhe unë ika. Insistimi i tij nuk ishte normal sepse ai ishte në moshën e prindit tim”, tregoi 29 vjeçarja.

Anketa e Portalbit: Vajzat përjetojnë ngacmime seksuale, djemtë ngacmime verbale

Nga 6 deri më 22 shtator 2024 Portalb.mk kreu një anketë anonime lidhur me ngacmimet e policisë rrugore në Maqedoninë e Veriut gjatë ndalesave që ju bëjnë shoferëve në trafik.

Anketa u plotësua nga 129 persona nga të cilët 104 ishin vajza, 24 djem, dhe një u identifikua me gjini tjetër.

Nga gjithsej 129 të anketuar, 11 prej tyre kishin përjetuar ngacmime.

Nga 11 të anketuarit që kishin përjetuar ngacmime nga policia rrugore në RMV gjatë ndalesave që ju bëjnë shoferëve në trafik, 6 prej tyre të anketuarit kishin pasur ngacmime verbale (komente të papërshtatshme, ofendim, frikësim, cenim i dinjitetit), dhe 5 prej tyre kishin pasur ngacmime seksuale (komente të natyrës seksuale, veprime të papërshtatshme si shkelje e syrit etj).

Nga të anketuarit që kanë përjetuar ngacmime seksuale të gjithë 5 janë vajza, ndërsa te raportimet për ngacmime verbale 3 janë vajza dhe 3 djem.

Edhe pse 11 prej të anketuarit që kishin përjetuar ngacmime të tilla, ata nuk i kishin raportuar rastin në polici.

Nga gjithsej 129 të anketuar, 16 prej tyre ishin të cilët njihnin dikë që kishte përjetuar ngacmime.

Infografik: Portalb.mk

“Frikësohemi nga ata që duhet të na mbrojnë”

Qytetarët e anketuar nga Portalb.mk ndanë eksperiencat e tyre me policët ngacmues. Ja çfarë thanë ata.

“Isha duke shkuar në shtëpi, ishte ora 11 e natës, me ndaloi policia dhe më tha që një vajzë si un s’duhet me qenë në rrugë vet dhe qeshte, dhe më tha se po më kërkon në rrjetin e tij Instagram”.

“Në Tetovë një polic më ndaloi e shënoi numrin në një fletë dhe më tha që ta kontaktoj”.

“Zakonisht nën urën nga auto komanda për Hipodrom, saktësisht afër “asuc” ka gjithë kohës polic, unë atëherë isha studente dhe kaloja shpesh andej, çdoherë kisha ngacmime seksuale me fjalë të ndryshme”.

“Në rrugën e plastikës më ndaloi policia, me arsyetimin se kisha kaluar në të kuqen, por isha në radhë me makinat në semafor dhe kalova në mënyrë të rregullt. Isha vetëm në makinë me motrën time të vogël, dy vajza. Më bezdisi për 15 minuta me komente të pa kuptimta dhe qeshnin mes tyre.. Duhet të kemi kujdes, sepse nuk dihet çfarë mund të ndodhë nga ata që supozohet se duhet të na mbrojnë”.

“Para disa viteve isha rrugës duke u kthyer prej shkolle ku më morën çantën mi hoqën të gjitha librat, për ata ishte shumë interesant pse kisha uniformën e bardhë në çantë bardh (isha duke studiuar mjekësinë) edhe bënin shaka me uniformën time, më mbajtën rreth një ore dhe filluan ta mbanin mbi kokë. Ishin civil dhe nuk më treguan menjëherë bexhin. Po mbas një kohe un ju thash ta vërtetojnë se a janë polic përndryshe s’kam pse foli me njerëz të pa njohur”.

Nuk i raportojnë rastet sepse nuk kanë besim në institucione

Asnjë nga të anketuarit nuk e kishte raportuar si rast ngacmimin që kishin përjetuar. Ata thonë se nuk kanë besim në institucione.

Sepse nuk ndjejë asnjë siguri prej atyre”.

“S’kisha guxim”.

Për arsye se në RMV paragjykohen vajzat, edhe nëse e kisha raportuar rastin përsëri un do isha ndjerë me faj”.

“Kështu që unë nuk besoj në institucionet tona”.

“Isha e vogël, nuk më ka shkuar ndërmend ta raportoj”.

“Çka nëse e raportoj kur nuk ndërmerren masa”.

“Sepse në shtetin tonë nuk merren parasysh këto lloje raportimesh”.

“Korrupsion”.

“Nuk kanë kohë për asgjë”.

“Nuk kam besim”.

Mollëkuqja: Jemi të njoftuar me këto raste, situata është alarmante

Nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” theksuan se janë të njoftuar me disa raste kur policët ngacmojnë seksualisht vajzat, duke ju kërkuar kontakte telefoni apo të rrjeteve sociale.

“Është shumë gabim. Inkurajojmë vajzat që bien pre e ngacmimeve seksuale apo verbale nga policia t’i raportojnë të njëjtat. Ndërsa Ministria e Brendshme duhet të forcojë kapacitetet e saja dhe të krijojë mekanizma më efikas në zbulimin e këtyre rasteve të shpeshta si dhe sanksionim maksimal për kryerësit”, theksuan nga Mollëkuqja.

Policia konfirmoi se ka sjellje të pahijshme

Ministria e Punëve të Brendshme për Portalb.mk konfirmoi se nga janari i vitit 2023 deri më 15 shtator janë regjistruar 26 raste të raportuara kundër oficerëve të policisë së trafikut, që lidhen me sjellje jo profesionale dhe të pahijshme të zyrtarëve policorë.

“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme ndërmerr aktivitete për të vërtetuar vërtetësinë e pretendimeve të paraqitura në çdo ankesë specifike dhe në të gjitha rastet kur konstaton parregullsi të caktuara, shqipton masa në pajtim me Ligjin për Punë të Brendshme dhe Marrëveshjes Kolektive të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërsa nga Sindikata e Policisë së Maqedonisë konfirmuan se nuk është raportuar asnjë rast.

Nga Prokuroria Publike theksuan se rastet nuk dallohen në bazë të cilësisë në të cilën është kryer krimi dhe në të cilën ka qenë viktima, por veprojnë sipas veprave të parashikuara në Kodin Penal.

“Duke vepruar kështu, rastet nuk dallohen bazuar në cilësinë në të cilën është kryer krimi dhe në të cilën ka qenë viktima (nëse viktimat kanë qenë shoferë, nëse autorët kanë qenë policë apo punonjës të tjerë të policisë)”, thanë nga Prokuroria.

Përndryshe, më 14 gusht të vitit 2024, një punonjës i policisë u padit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, nën dyshimet se ka kryer ngacmimin seksual.

  • LEXO: Padi ndaj policit të RMV-së nën dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një person gjatë punës zyrtare.
ECRMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV