Ministria e Shëndetësisë refuzon të përgjigjet nëse do ta padisë firmën “Instalimi” që nuk e ndërtoi spitalin e ri të Kërçovës

Ministria e Shëndetësisë përsëri hesht për procedurën e përfundimit të spitalit të ri të Kërçovës. Zëvendës ministrja e shëndetësisë, Maja Manolleva sot në konferencë për mediat refuzoi të përgjigjet në pyetjen e Portalb.mk nëse Ministria e Shëndetësisë do ta padisë firmën “Instalimi”,  për shkak se nuk e ka ndërtuar objektin e spitalit të ri të Kërçovës për 10 vitet e fundit që ka pasur kontratë me ministrinë, shkruan Portalb.mk. Gjithashtu, ajo tregoi nëse do të ketë tender të ri.

Për shkak të përgjigjeve të ndryshme që Ministria e Shëndetësisë i jep në lidhje me objektin e spitalit të ri të Kërçovës, gjegjësisht nëse do ta padisin apo jo firmën ndërtuese që nuk e përfundoi spitalin e ri të Kërçovës, Portalb.mk sot në hapësirat e ministrisë, iu drejtua zëvendës ministres së shëndetësisë, Maja Manolleva duke kërkuar sqarim, mirëpo ajo refuzoi të përgjigjet.

“Nuk mund t’ju them tani.”, tha zëvendës ministrja e shëndetësisë, Maja Manolleva.

Firma ndërtuese “Instalimi” për 10 vitet e fundit ka pasur dy kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë. Kësaj kompanie i janë dhënë tre millionë euro edhe përkundër faktit që nuk i ka kryer obligimet e saj për përfundimin e spitalit të cilin qytetarët e Kërçovës e presin për më shumë se 30 vite.

Në lidhje me atë se cili është hapi i ardhshëm për ndërtimin e këtij objekti, Manolleva tha se përveç prishjes së kontratës ajo nuk ka informacione shtesë mirëpo tha se planifikohet të bëhet inspektimi i objektit.

“Informacionet që i kam unë deri tani janë deri në prishjen e kontratës, shpresoj se në periudhën e ardhshme do të marr informata shtesë. Por, nga njësia projektuese dhe nga ish-ministri tani për tani, unë kam informacion vetëm se është prishur kontrata dhe se planifikohet inspektimi i hapësirës dhe të shihet se çka është punuar deri tani dhe se çka duhet të bëhet që të kompletohet ky projekt”, tha zëvendës ministrja e shëndetësisë, Maja Manolleva.

Përndryshe, objekti i spitalit të ri të Kërçovës u premtohet qytetarëve të Kërçovës për më shumë se tre dekada. Ministria e Shëndetësisë e cila e ka për detyrë përfundimin e këtij objekti që për më shumë se 30 viteve nuk ka arritur ta përfundojë të njëjtin. Në fund të vitit 2023, njoftoi se është prishur kontrata me firmën “Instalimi”, kontraktori i cili është zgjedhur për të ndërtuar objektin e ri të Spitalit të Kërçovës në vlerë prej 9.3 milionë euro. 

Ministria e Shëndetësisë i ka paguar 3 milionë euro për dy kontratat për ndërtimin e objektit të ri të Spitalit të Kërçovës, pavarësisht se ish ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti deklaroi në dhjetor se shteti nuk i ka paguar firmës asgjë për 10 vite.

Objekti i ri i spitalit të përgjithshëm të Kërçovës, foto: Portalb.mk

Maratonë dështimesh

Më 29 janar të vitit 2024, në përgjigjet që Ministria e Shëndetësisë i ka dërguar IRL-së thuhet se ministria i ka paguar firmës “Instalimi” tre milion euro dhe se ministria do ta padisë firmën për shkak se nuk e përfundoi objektin.

Më 11 dhjetor të vitit 2023, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në një konferencë deklaroi se kontrata është prishur.

Më 9 dhjetor, Portalb.mk publikoi kontratat  për ndërtimin e spitalit të ri të Kërçovës njëra në vitin 2014 dhe tjetra në vitin 2021, me vlerë totale të dy projekteve 9 milionë euro.

Më 13 nëntor të vitit 2023 Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë në një konferencë nëse e kanë prishur kontratën, ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Më 2 nëntor të viti 2023, në një konferencë për media i pyetur nga Portalb.mk nëse është prishur kontrata, ai tha se pritet që për një javë të ndërpritet kontrata me firmën.

Më 13 nëntor të vitit 2023, Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë nëse e kanë prishur kontratën ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Në gusht të vitit 2023, ministri i tanishëm i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti paralajmëroi se kontrata me firmën ndërtuese do të ndërpritet për shkak se në terren nuk punohet.

Në nëntor të 2022, ministri i atëhershëm, Bekim Sali ka thënë se për spitalin e Kërçovës janë ndarë 60 milion denarë.

Në mars të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në shtator të viti 2017, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e vizitoi spitalin dhe për mediat tha se janë ndarë financa për përfundimin e spitalit duke premtuar që deri në prill të vitit 2019 spitali do të jetë gati.

Në dhjetor të viti 2016, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçe në një deklaratë për TV Gurra përsëri ka premtuar se në vitin 2017 Kërçova do të ketë spital të ri.

Në dhjetor të vitit 2015, Ipçe ka vizituar spitalin dhe ka premtuar se në vitin 2017 edhe faza e parë edhe e dytë do të jetë e përfunduar.

Në vitin 2013, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk u realizua. Në ndërkohë, qytetarët janë të detyruar shërbimet shëndetësore t’i marrin prej spitalit të vjetër, i cili nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.

Që nga viti 1985 e deri në vitin 2013, Spitali i përgjithshëm i Kërçovës vazhdoi të mbetet në gjendje të mjerueshme.

KërçovaMinistria e Shëndetësisë (MSH)Spitali i Përgjithshëm Kërçovë