Për shkak se nuk i ka lëshuar mjetet e bllok dotacioneve, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ia ka marrë kompetencat kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” në afat prej 12 muajsh, raporton Portalb.mk.
Në maj të vitit 2023 në gjimnazin e Tetovës është kryer inspektim nga Inspektoratit Shtetëror i Arsimit, i cili në Procesverbal ka konstatuar se Komuna e Tetovës nuk ka bërë lëshimin e bllok dotacioneve për shkollën e mesme “Kiril Pejçinoviq”. Si pasojë, thonë nga MASH, shkolla nuk ka mundur t’i paguajë faturat e harxhimeve ndaj operatorëve dhe kompanive që ka nënshkruar marrëveshje dhe ka hyrë në borxh prej 6.625.349 denarë (mbi 107.000 euro).
“Shkolla ka dërguar te Komuna e Tetovës propozim për plan financiar për vitin 2023, por ai nuk është miratuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës deri në ditën e inspektimit”, thotë për Portalb.mk ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
“Bazuar në këto fakte, si ministër i Arsimit dhe Shkencës, në pajtim me nenin 108-b të Ligjit për Arsimin e Mesëm, me vendim ia mora kompetencat kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për funksionimin e shkollës së mesme komunale Kiril Pejçinoviq për 12 muaj”, shton Shaqiri.
Të kontaktuar nga Portalb.mk. Komuna mohoi të ketë marrë ndonjë njoftim për marrjen e kompetencave.
“Deri më tani në adresë të Komunës së Tetovës nuk ka ardhur asnjë njoftim apo vendim zyrtar ku MASH i merr kompetencat Komunës së Tetovës në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”-Tetovë. Andaj ne, si institucion nuk mund ta komentojmë këtë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Drejtoresha e gjimnazit të Tetovës, Teuta Llalla, ka deklaruar prej në prill të këtij viti se gjimnazi nuk ka marrë mjete financiare, edhe pse të njëjtat Komuna i ka pranuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).
Ky është një nga problemet e shumta që ka patur gjimnazi me komunën, duke u nisur nga akuzat e Llallës për presion politik për të dhënë dorëheqje. Ndonëse publikisht pala tjetër i ka mohuar akuzat, në maj të vitit 2022 Llalla u shkarkua nga detyra për t’u zëvendësuar nga Hatije Azizi-Etemi, profesoreshë e gjuhës angleze dhe njëkohësisht ish-këshilltare komunale nga Lëvizja Besa. MASH reagoi për këtë çështje duke ia marrë Komunës autorizimin mbi kryerjen e detyrave sa i përket emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të shkollës.
- LEXO: Tetovë, drejtoresha e gjimnazit thotë se nga Komuna i kanë kërkuar të jep dorëheqje, Kasami e mohon
- LEXO: Revizioni Komunal hyri në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, drejtoresha akuzon për presion politik nga kryetari Kasami, komuna e mohon (VIDEO)
- LEXO: Komuna e Tetovës shkarkoi drejtoreshën e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” me akuzat për shkelje financiare, ajo mohon keqpërdorimet
- LEXO: MASH dhe Komuna e Tetovës u përplasën për kompetencat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”
[…] со гимназијата во Тетово, „Кирил Пејчиновиќ“, објави […]