Minçev: Balancuesi mbetet në fuqi, por do të diskutohet për shfuqizimin eventual të tij

Balancuesi, mjeti për punësimin e pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike në sektorin publik, mbetet në fuqi, tha ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në një intervistë javore për Radion Evropa e Lirë. Por ai shton se kjo nuk do të thotë se ky mjet nuk do të jetë objekt diskutimi për heqjen e tij të mundshme, transmeton Portalb.mk.

Aplikimi i balancuesit së fundmi ka përplasur ministrin Minçev, i cili vjen nga radhët e partisë ZNAM, kryetarin e Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski dhe koalicionin “VLEN”. Përplasja nisi pasi Minçevi deklaroi se sipas mënyrës së re të llogaritjes së balancuesit, merret parasysh vetëm numri i popullsisë rezidente dhe jo numri i popullsisë jorezidente nga regjistrimi i vitit 2021. “VLEN-i” reagoi ashpër ndaj këtij potezi të ministrit të Administratës Publike, duke akuzuar se kuadrot e ZNAM-it kanë një vlerësim të gabuar se do të krijojnë identitetin e tyre politik mbi një doktrinë antishqiptare.

Minçev tha në intervistën për REL se, se në këtë moment nuk mund të spekulohet se çfarë do të ndodhë me balancuesin. Mirëpo, në përgjigjen e pyetjes se a do të shfuqizohet, pasi siç tha së fundmi, mjeti po keqpërdoret, ministri i referohet raportit të shqyrtimit të Bashkimit Evropian nga viti 2023.

“Thuhet (në raport) se qëllimi i balancuesit, për të cilin është krijuar, praktikisht nuk është përmbushur, gjegjësisht keqpërdoret balancuesi. Tashmë kam thënë se në të kaluarën balancuesi ka qenë subjekt i keqpërdorimeve, pra kemi raste kur maqedonasit janë shkruar si shqiptarë, shqiptarët janë shkruar si maqedonas, pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike, që do të thotë se balancuesi praktikisht tashmë e humb qëllimin e tij për të cilën është krijuar. Në këtë moment zbatohet zgjidhja ligjore. Për sa kohë nuk ka zgjidhje tjetër ligjore në fuqi, mbetet aplikimi i balancuesit, sipas Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë objekt diskutimi për heqjen e mundshme të atij mjeti”, tha Minçev.

Ai foli edhe për reformat në administratën publike të cilat siç është paralajmëruar duhet të rezultojnë me ulje të administratës. Lidhur me këtë çështje, Minçev thotë se këto reforma duhet t’i nënshtrohen një analize gjithëpërfshirëse, sepse siç thotë ai në intervistë, administrata publike si shtyllë e një shteti duhet të jetë cilësore, e arsimuar dhe e ngritur sistematikisht. Një sistem i pandërtuar në atë drejtim, sipas ministrit, nënkupton mosekzistencën e një shteti.

“Ne kemi hyrë në një proces të debatimit të disa ligjeve, por ai proces duhet të jetë solid dhe gjithëpërfshirës, ​​në të cilin të përfshihen të gjitha institucionet që i prekin dhe shpresoj që në një periudhë shumë të shpejtë do të pasojnë procese të forta reformash, të cilat do t’i prezantohet drejtpërdrejt publikut”, tha ministri.

Për sa i përket mosefikasitetit të administratës dhe ku qëndrojnë arsyet, ministri përgjegjës thotë se në vend ka institucione ku numri i të punësuarve është shumë i madh dhe se ndoshta 30 deri në 40 për qind e administratorëve i kryejnë realisht detyrat e tyre të punës.

Ministri i Administratës Publike Goran Minçev, sot (26.07) njoftoi se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%.

Kujtojmë se ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloganë fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh problematikën e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.

BalancuesiGoran MinçevMinistria e Administratës Publike (MAP)Reforma në administratë