Mijëra qytetarë të uritur për fitime të shpejta: Skemës piramidale “Konti” po i vjen fundi, por po hapen të reja

Në Kavadar, Negotinë dhe Veles mbisundon paniku pas ndërprerjes së pagesave përmes skemës piramidale online “Konti“ (Conti), në të cilën përdorues ishin mbi 14.000 qytetarë të Maqedonisë. Përmes kësaj mënyre të fitimeve të shpejta, e cila bëhet përmes pagesës së kriptovalutave në platformën për tregtimin e kriptovalutave, Binance, një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë humbën me mijëra euro, një numër i madh fituan, por ka edhe nga ata – ata në krye të piramidës, të cilët u pasuruan shumë, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk ditëve të fundit dëgjoi me dhjetëra dëshmi të personave të cilët kanë qenë pjesë e kësaj skeme piramidale, e cila në shikim të parë duket shumë e thjeshtë – mjafton të hapësh një llogari në Binance dhe Telegram, të regjistrohesh në platformën e “Konti”-t, të paguash një shumë të caktuar parash dhe të klikosh “Like” për  filma ose trailera filmash. Përveç kësaj, mund të rekrutosh edhe njerëz të rinj, kështu që sa më shumë njerëz të kesh “nën vete”, aq më shumë fiton. Derisa platforma të shuhet. Kur ndodh kjo, nuk dihet, por kur shuhet, rezultati është i pasigurt – dikush mbetet me bilanc zero, dikush është më i pasur për mijëra euro dhe dikush tjetër pa mijëra euro.

Askush nuk të detyron të jesh pjesë e kësaj skeme, pra njerëzit vendosin me vetiniciativë nëse do të investojnë para apo nuk do të rrezikojnë. Por kur i merr paratë e para të fituara pa mund, atëherë është e vështirë t’i japësh fund, e kështu, sipas dëshmive që i dëgjuam, një numër i madh i qytetarëve kanë marrë kredi të shpejta dhe kanë marrë para borxh për të qëndruar në lojë, sepse çdo paketë e re të sjell fitime më të mëdha. Deri sa një ditë nuk të sjell më, e njerëzve pastaj u mbeten  borxhe të mëdha që nuk kanë si t’i kthejnë.

Me ëmbëlsira dhe tullumbace promovohet mënyra e lehtë të fitimit

Ekzistenca e platformave Konti, DGPT, Eternal dhe të ngjashme deri më tani ka qenë sekret publik në vendin tonë, por e gjithë historia dalëngadalë filloi të zbardhej ditëve të fundit kur njerëzit mbetën pa shuma të mëdha parash, që i tejkalojnë edhe 10 mijë euro. Dje, në orët e vona të mbrëmjes, u përhap një njoftim se përdoruesve të kësaj platforma do ju kthehen një pjesë e parave, por kjo nuk i jep fund mënyrës së funksionimit të firmave piramidale. Edhe sikur të ishte kështu, nga përdoruesit kërkohet që të paguajnë një depozitë, nëse duan që t’i marrin paratë e tyre.

Foto: Printscreen, Konti

 

Në Kavadar dy të rinj këtë verë e hapën info qendrën Konti. E bënë këtë me një festë modeste, me një tortë, tullumbace dhe logon Konti, ndërsa premtuan para të shpejta. Një qendër e ngjashme informative po hapet edhe në Radovish.

Ky lloj biznesi ka vazhduar edhe më parë, ndërsa përdoruesit janë të “bashkuar” në rrjetin social Telegram, ku vazhdimisht ka oferta të reja, paketa të reja, ndërsa nga organizatorët publikohen informacione se bëhet fjalë për një biznes me origjinë nga Britania dhe Sllovenia dhe se ata ndjekin trajnime për këtë biznes rregullisht. Përdoruesve ju ndahen fletushka në të cilat ka shpjegime për këtë proces të fitimit të shpejtë të parave.

E gjithë kjo është një stimul shtesë për qytetarët – ata investojnë para, sepse në fillim ato me të vërtetë u kthehen. Për shembull, nëse blihen tre pako me vlerë prej 750 euro, për 25 ditë paratë e investuara kthehen, ndërsa pastaj fitimet shtesë vijnë nga klikimet në reklamat e filmave, dhe nga “rekrutimi” i njerëzve të rinj. Nga këto 750 euro ata mund të fitojnë 2.250 euro, pra trefish më shumë se sa që kanë investuar. Paratë mund t’i tërheqin kur të duan, në një këmbimore, në çdo valutë. Qytetarët sa më shumë që investojnë, aq më shumë edhe fitojnë.

Por çdo histori si kjo duhet të ketë një fund, i cili vjen pa paralajmërim dhe pikërisht atëherë kur po promovohen paketat me vlerë deri në 6.000 euro – para që njerëzit i kanë paguar, por më pas bëhet gjithnjë e më e vështirë, madje e pamundur, që t’i kthejnë ato.

“Konti” është e regjistruar në Maqedoni

Meta.mk hetoi dy ueb-faqet e “Konti” (CONTI | Al Conti International Culture Limited dhe Login (conti.vip), por në to gjeti shumë pak të dhëna. “Konti” është objekt analize i shumë njerëzve, por përfundimi është i njëjtë kudo – se bëhet fjalë për një kompani jashtëzakonisht e dyshimtë për disa arsye:

  • Mungesa e informacionit për pronësinë;
  • Domein i dyshimtë – conti.vip;
  • Pronësi i fshehur në Whois, ku mund të shihet se kush, kur dhe ku e ka regjistruar;
  • Jetëgjatësi i shkurtër e ekzistencës së domeinit, vetëm 7-8 muaj;
  • Mungesë e linjës së sigurt: ueb-lokacioni nuk përdor linjë të sigurt (HTTPS), që është e rëndësishme për mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme të përdoruesve;
  • Mungesa e certifikatit SSL.

Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror kompania Konti-Dimkov SHPKNjP Kavadar në Maqedoni është regjistruar në muajin qershor të këtij viti, ndërsa veprimtaria kryesore e saj është “hulumtimi i tregut dhe analizimi i mendimit publik”. Është themeluar me një depozitë prej 10.000 euro, ndërsa pronar dhe drejtor i saj është Aleksandar Dimkov nga Kavadari. Kompania është e regjistruar në rrugën “Shishka”, ku ndodhet edhe info-qendra “Konti” në Kavadar. Aktualisht nuk ka të dhëna për bilancin e kompanisë, sepse ajo është themeluar këtë vit.

Foto: Printscreen, Rrjeti i Biznesit

 

Meta.mk tashmë dy ditë që po përpiqet të kontaktojë me Dimkovin, por celulari i tij është i fikur nga dita kur u ndërprenë pagesat e parave për përdoruesit. Sipas informacioneve tona, e para që e ka sjellë “Konti”-n në Maqedoni përmes Sllovenisë është një vajzë nga Negotina, e cila gjithashtu është e paarritshme në celularin e saj.

“20 përqind fitojnë, 80 përqind humbasin”

Ndër të parët që ka hyrë në këtë skemë është një i ri nga Kavadari, i cili tani u jep shpresë përdoruesve se do të hapet një aplikacion i ri i cili sërish do ju mundësojë të fitojnë para të shpejta.

Në Telegram është hapur një grup i ri, në të cilin dje vetëm për një ditë janë regjistruar mbi 1.400 anëtarë, me një entuziazëm të madh se do t’i marrin paratë e humbura në “Konti”. Me përdoruesit  është realizuar një video-bisedë live, ku ka marrë pjesë edhe Meta.mk. Ishte e qartë se i riu nga Kavadari u shpjegonte përdoruesve se nga këto firma piramidale vetëm 20 përqind fitojnë, ndërsa 80 përqind humbin.

Në bisedën e djeshme live mund të dëgjoheshin shumë dëshmi, madje edhe nga ato ku njerëzit tregonin se kanë humbur edhe nga 13 mijë euro secili që i kanë “investuar” në “Konti”.

“Duhet ta kuptoni, 80 përqind do digjen, 20 përqind do fitojnë, kështu funksionon skema piramidale. Do mundohem që Maqedonia tani të luajë përmes Indisë, sepse “Konti” tani po kalon atje”, u tha administratori përdoruesve, të cilët ishin rreth 300 në numër.

“Unë kam një aplikacion të ri, kam një muaj e gjysmë që po e punoj dhe është i mirë, mund të anëtarësohesh atje”, shton ai.

“Hape aplikacionin më shpejt, të fillojmë të punojmë, të jemi të parët, e pastaj kush digjet – digjet”, thotë një nga përdoruesit.

Disa nga të pranishmit ishin kundër kësaj.

“Njerëz, bëni diçka, mos i besoni kësaj skeme piramidale. Jam djegur, jam djegur shumë, mos mendoni se në këtë mënyrë do të fitoni para”, thotë një nga të pranishmit që më pas u përjashtua nga biseda.

Kuptoni që të gjitha skemat e tilla zgjasin 7-8 muaj, po ua theksoj qartë, ata që do fillojnë të parët me mua do kenë 20 përqind, të tjerët do të digjen”, thotë administratori.

“Nuk është mirë që njëri të digjet dhe tjetri të fitojë. Unë do të kem fitim prej 10.000 euro, por dikush do të humbasë 10.000 euro dhe kjo nuk është e drejtë”, shton një nga përdoruesit.

Biseda live zgjati dy orë dhe për sot është paralajmëruar një lëshim i ri i aplikacionit për këtë lloj fitimi të shpejtë.

E gjithë kjo aludon se kjo mënyrë e fitimit të parave përmes firmave piramidale është pothuajse e pamundur të shuhet, ndërsa këtë gjë e dëshmojnë dy fakte – interesimi i madh i qytetarëve, por edhe deklarata e ministrit të punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, i cili deklaroi se zyrtarisht nuk është dorëzuar kallëzim penal, por shprehu “shqetësim për këtë lloj krimi piramidal, investues, potencial financiar që tashmë nuk e di se sa herë po ndodh në Maqedoni”.

Nga Prokuroria Publike nuk morëm përgjigje në pyetjen nëse do të hapet një hetim pas një informate për këtë lloj mashtrimesh piramidale.

 

Aplikacion (App) celular - telefonikBlerje ne internet - onlineKriptovalutaMeta.mkTë drejtat e njeriut