Qeveria mbetet në qëndrimin se Spitali Klinik në Shkup duhet të ndërtohet pranë pishinës në arenën “Boris Trajkovski” dhe se kjo është zgjidhja më e mirë, raporton MIA.
“Përfundimisht mbesin në qëndrimin se Spitali Klinik në Shkup duhet të ndërtohet në pllajën përpara pishinës “Boris Trajkovski”. Kjo është tokë në pronësi private. Po negociojmë me pronarin privat dhe duam të bëjmë gjithçka këtu që të mund të lidhet me një tunel nëntokësor me Spitalin aktual “8 Shtatori”. Kemi qendrën me pesë qendra dhe Poliklinikën e Bukureshtit këtu dhe do të jetë një kompleks i plotë, gjithëpërfshirës”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në brifingun e sotëm me gazetarët.
Ai shtoi se me pronarin e kësaj parcele po negociojnë për të bërë një shkëmbim toke me tokë dhe për të parë se sa larg do të shkohet. Deri më tani, siç tha, është i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë negociatat.
Mickoski paralajmëroi se po vazhdon edhe ndërtimi i Spitalit Klinik në Shtip, së bashku me fakultetin e mjekësisë dhe konviktin e studentëve, si dhe Spitalin Klinik në Tetovë dhe Qendrën Shëndetësore me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë.
Ndryshe, investimi prej 74 milionë eurosh i paralajmëruar për Spitalin Klinik të Tetovës është prezantuar si projekt strategjik që synon transformimin dhe modernizimin e shërbimeve shëndetësore në Pollog. Megjithatë, pavarësisht premtimeve për investime, shumë detaje mbeten ende të paqarta, Ministria e Shëndetësisë nuk ka përgjigje konkrete lidhur me mënyrën e financimit, afatet e realizimit dhe dokumentacionin zyrtar të projektit.
Qendra e re Klinike vazhdon të jetë vetëm një premtim që deri tani nuk është realizuar. Në vitin 2019, ish-kryeministri Zoran Zaev tha se ndërtimet do të fillojnë në vjeshtë të atij viti. Për këtë investim ishte siguruar edhe kredi nga Banka Qendrore Evropiane, por deri tani Qendra e re Klinike nuk është ndërtuar.
Planifikojmë që Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit (SPQ) “8 Shtatori” në Shkup ta bëjmë qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga kryeqyteti, por edhe nga Kumanova dhe Velesi, kishte deklaruar në vitin 2025-të drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh), Sasho Klekovski.
- LEXO: Investim strategjik apo deklaratë politike, paqartësi rreth 74 milionë eurove për Spitalin e Tetovës
- LEXO: Ideja e shumë-premtuar për Qendër të re Klinike në pauzë, spitali “8 Shtatori” po përgatitet të bëhet qendër rajonal
- LEXO: Qendra e re Klinike për tre vjet ka thithur gjysmë milioni euro për njëzet persona me kontratë në vepër
- LEXO: Qeveria e miratoi informatën për ndërtimin e Qendrës së re Klinike
- LEXO: Zaev: Në vjeshtë fillojmë me ndërtimin e Qendrës së re klinike
- LEXO: Mexhiti: Mbretëria e Bashkuar do të financojë ndërtimin e një Qendre të re Klinike