Mickoski pas njoftimit të Mitsotakisit për samitin e NATO-s: Nuk pres marrëdhënie talebaneske për një të drejtë elementare të njeriut

Nuk kam ndërmend të sillem në mënyrë talebaneske dhe as nuk pres sjellje të tillë nga ndonjë politikan në shekullin e 21-të. Kështu sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe mandatar i caktuar për përbërjen e qeverisë së re, Hristijan Mitskoski, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit grek Kirjakos Mitsotakis se synon të ngrejë çështjen e respektimi i Marrëveshjes së Prespës në samitin e ardhshëm të NATO-s nga autoritetet e reja në vend, veçanërisht në pjesën e përdorimit të emrit kushtetues të shtetit, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me këtë çështje, Mickoski në konferencën e sotme për media në Kuvend tha se “përgjigjen për histerinë që po i ndodh fqinjit tonë jugor tashmë e ka dhënë para disa javësh”.

Në këtë drejtim, ai ritheksoi se e drejta e shprehjes dhe fjalës së lirë është një e drejtë elementare e njeriut dhe gjithçka që është e përfshirë në Marrëveshjen e Prespës dhe është pjesë e sistemit juridik dhe rendit kushtetues të shtetit do të respektohet nga qeveria e ardhshme e VMRO-së.

“Mendoj se është pjesë e fushatës së tyre zgjedhore. Nuk pres marrëdhënie talebaneske, censurë të të drejtave themelore të njeriut dhe gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës dhe është pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë atë, duke përfshirë këtu edhe vendimet për deputetë që morëm, i morëm me mbiemrin që përmban. Përfshirë propozimin që po dorëzoj sot është me mbiemrin e përfshirë në të. Por e drejta ime njerëzore e garantuar me shumë konventa është e drejta e lirisë së shprehjes dhe fjalës”, tha Mickoski.

Në atë kontekst, ai tha se nuk iu hidhërohet politikanëve kur nuk e thonë të gjithë emrin e vendit të tyre, por një pjesë të atij emri, duke treguar se për të emri i atdheut është dhe do të mbetet Maqedoni.

“Nuk mund të kërkosh që të respektohen ligjet, të sundojë ligji, të zbatosh reformat dhe nga ana tjetër të jesh hipokritë dhe të thuash gjëra që nuk janë të vërteta dhe nuk mund t’i zbatosh. Por në deklaratat e mia ky do të jetë emri për atdheun tim, do të jetë dhe është Maqedoni”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

Nëse në samitin e NATO-s në korrik Greqia ngre çështjen e respektimit të Marrëveshjes së Prespës, Mickoski tha se mesazhi i tij do të jetë në drejtim të ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe miqësisë me të gjithë fqinjët.

“Populli dhe qytetarët maqedonas janë njerëz paqësorë, njerëz mikpritës. Kështu u sollën,kështu pres që edhe fqinjët tanë të sillen, të bashkëpunojnë dhe të kultivojnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Po e përsëris as qe kam ndërmend te sillem në mënyrë talebaneske dhe as nuk pres sjellje talebaneske nga ndonjë politikan në shekullin 21 dhe mund të hapim debat jo vetëm aty por edhe në çdo forum që të shohim kush sa realizoi nga Marrëveshja e Prespës. Do të doja të flisja për investime, për standarde më të mira, për zhvillim, për reforma. Këtë presin qytetarët nga ne dhe për këtë kanë votuar qytetarët”, tha Mickoski.

Kujtojmë se, kryeministri grek Kirjakos Mitsotakis tha të dielën se do të ngrejë çështjen e përdorimit të emrit kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut në samitin e NATO-s në Uashington në gjysmën e parë të korrikut.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në ishullin e Kretës në prag të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, Mitsotakis tha se aktualisht deklarojnë se “qëllimi i VMRO-DPMNE-së është në praktikë të kontestojë emrin e vetëm për të gjithë” dhe theksoi se Greqia nuk do ta pranojë këtë.

“Pres që kandidati për kryeministër të Maqedonisë së Veriut të deklarojë publikisht, në mënyrë të qartë dhe kategorike, se e respekton Marrëveshjen e Prespës, se emri i vendit të tij është Maqedonia e Veriut, erga omnes si në përdorim të brendshëm ashtu edhe në përdorim të jashtëm”, tha Mitsotakis, duke përsëritur se Greqia do të kërkojë përafrim absolut për këtë çështje për të cilat tha se janë në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.

Ndryshe, reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2017 u arrit marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit nga “Maqedoni”, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.

Hristijan Mickoski HristianKyriakos MitsotakisMarrëveshja e Prespës (me Greqinë)Samiti i NATO