Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por ai gjithashtu theksoi se si punëtorët ashtu edhe punëdhënësit duhet të bien dakord për këtë, dhe se rritja duhet të bazohet në mundësi reale ekonomike. Mickoski beson se që të jetë e qëndrueshme, rritja e pagave nuk duhet të arrihet me vendime administrative të marra brenda natës, por me një ekonomi të fortë dhe produktive, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se paralelisht me diskutimet për pagën minimale, duhet të punohet për rritjen e produktivitetit, mbështetjen e bizneseve, investimet në teknologji, inovacion dhe kapital njerëzor, sepse në këtë mënyrë do të krijohen kushte që pagat të rriten vazhdimisht, pa rrezikuar vendet e punës ose konkurrueshmërinë e kompanive.
“Dua të theksoj qartë se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale. Angazhimi ynë është që pagat të rriten dhe puna të vlerësohet në mënyrë të përshtatshme. Megjithatë, ne jemi gjithashtu të bindur fuqimisht se një rritje e tillë duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje të ndërsjellë midis punëtorëve dhe punëdhënësve, e arritur përmes dialogut social dhe e bazuar në mundësi reale ekonomike. Dhe se rritja duhet të jetë në përputhje me potencialin dhe kapacitetet e ekonomisë. Unë nuk jam pro zgjidhjeve të imponuara. Viti i ardhshëm do të jetë një vit lufte për standard më të mirë jetese”, theksoi Mickoski.
Ai tregoi se Qeveria do të vazhdojë të jetë partner aktiv dhe përgjegjës në këtë proces.
“Ne do të mbështesim të gjitha zgjidhjet që janë të drejta, ekonomikisht të qëndrueshme dhe të dakordësuara me konsensus. Interesi ynë nuk është një pikë politike afatshkurtër, por stabiliteti afatgjatë, parashikueshmëria dhe një ekonomi që mund t’i rezistojë sfidave të kohërave moderne. Unë besoj se përmes dialogut të ndershëm, respektit të ndërsjellë dhe një vizioni të përbashkët, mund të arrijmë zgjidhje që do të sigurojnë standard më të mirë për punëtorët dhe një klimë të shëndetshme biznesi për punëdhënësit. Kjo është rruga drejt një ekonomie më të fortë dhe një të ardhme më të sigurt për vendin tonë”, përfundoi Mickoski.
Sipas kryeministrit, Këshilli Ekonomik dhe Social nuk është formalitet, por konfirmon vendosmërinë për të zgjidhur çështjet kryesore ekonomike dhe sociale përmes dialogut, partneritetit dhe përgjegjësisë së ndërsjellë.
“Qëllimi ynë është një ekonomi e qartë dhe më e fortë që krijon vlerë, hap vende të reja pune dhe siguron standard dinjitoz jetese për çdo qytetar. Rritja ekonomike që ndërtojmë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e drejtë, dhe rezultatet e kësaj rritjeje duhet të ndihen nga punëtorët, por gjithashtu të sigurojnë stabilitet dhe konkurrueshmëri për kompanitë. Në këtë kontekst, çështja e pagës minimale është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e ndjeshme”, tha ai.
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi në nëntor tha se nuk do të ketë rritje të shpejtë të pagës minimale nën presionin e sindikatave, dhe nuk do të ketë as shporta të shpenzimeve festive apo masa ad-hoc për stabilizimin e çmimeve dhe marzheve. Ai shtoi se se paga minimale do të rritet në mars vetëm sipas asaj që parashihet me ligj, në përputhje me formulën për llogaritje. Thekson se nuk do të ketë vendime populiste pasi ato do të rrisin inflacionin.