Mickoski: Me largpërçuesin Manastir–Elbasan, RMV për herë të parë lidhet me të gjitha sistemet energjetike në rajon

Kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi sot se projekti i largpërçuesit energjetik Manastir–Elbasan është “i shpëtuar nga dështimi i sigurt” dhe do të sigurojë stabilitet energjetik dhe zhvillim ekonomik për vendin. Në një fjalim gjatë ceremonisë së rivënies në punë të projektit, Mickoski theksoi rëndësinë e këtij largpërçuesi 400 kilovoltësh dhe të gjatë rreth 100 kilometra, duke e përshkruar atë si lidhjen energjetike që mungonte për vite me radhë dhe si pjesë të rrjetit energjetik evropian, transmeton Portalb.mk.

“Largpërçuesi i interkonjeksionit Manastir–Elbasan nuk është një largpërçues i zakonshëm. Ai është simbol i një zbrazëtirë të mbyllur, e cila për vite me radhë qëndroi si pengesë në rrugën tonë. Korridori 8, i cili duhet të jetë arterie e ekonomisë, për një kohë të gjatë kishte një ndërprerje në rrjetin e tij energjetik. Sot, me këtë projekt, ajo zbrazëtirë më në fund po mbyllet. Me ndërtimin e këtij largpërçuesi 400 kilovoltësh, të gjatë rreth 100 kilometra, ne po vendosim lidhjen e fundit energjetike që mungonte me fqinjët tanë. Për herë të parë, bëhemi plotësisht të lidhur me të gjitha sistemet elektroenergjetike fqinje. Kjo do të thotë më shumë siguri për qytetarët, më shumë stabilitet për ekonominë dhe më shumë mundësi për zhvillim. Në energjetikë nuk ka sisteme të izoluara. Nuk ka qarqe të mbyllura. Çdo sistem merr frymë bashkë me të tjerët. Pikërisht për këtë, ky interkonjeksion nuk është vetëm një projekt nacional – ai është pjesë e rrjetit energjetik evropian”, tha Mickoski.

Ai sqaroi se projekti kishte hasur vështirësi të shumta juridike, teknike dhe organizative, duke përfshirë vonesa, negociata të stërzgjatura dhe kontrata që nuk jepnin rezultate. “Ne nuk lejuam që ky projekt të mbetet një mundësi e humbur. E rimorëm projektin, e përmirësuam dhe e rivendosëm mbi themelet e shëndosha,” tha Mickoski.

“Ky projekt nuk ishte i lehtë. Përkundrazi – ishte një nga më kompleksët me të cilët jemi ballafaquar. Kredia ishte siguruar që në vitin 2015. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2020. Ndërsa realizimi – pothuajse joekzistent. Në vend të aktiviteteve ndërtimore, vitet u shpenzuan në negociata, shtyrje dhe përpjekje për ndryshimin e çmimeve. Ishte blerë vetëm një pjesë e pajisjeve, pa asnjë progres substancial në terren. Më pas vijoi pjesa më e vështirë – rinisja e projektit që për vite me radhë kishte mbetur në vendnumëro. U përballëm me sfida juridike, teknike dhe organizative. Me çështje pronësore-juridike. Me nevojën për harmonizim me standardet ndërkombëtare dhe rregullat FIDIK. Me obligim për ta rikthyer projektin në jetë pa humbur resurset e investuara tashmë”, tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se Manastir–Elbasan do të rrisë sigurinë energjetike, do të ndihmojë në integrimin e burimeve të rinovueshme dhe do të pozicionojë Maqedoninë e Veriut si partner të besueshëm në rrjetin energjetik evropian.

Kujtojmë se kjo linjë transmetimi supozohet të mundësojë lidhjen e energjisë elektrike nga Bullgaria, përmes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Italisë, si pjesë e Korridorit 8. Projekti është strategjik për integrimin e plotë energjetik të Maqedonisë me vendet fqinje.

Planet filluan në vitin 2013, me një afat përfundimi në vitin 2017. Financimi u sigurua: një kredi prej 37 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një grant prej 12 milionë eurosh nga WBIF. Megjithatë, ndërtimi u vonua për vite me radhë.

ElbasaniHristijan Mickoski HristianKorridori 8Manastiri