Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka deklaruar se Qeveria ka marrë vendim për bllokimin e 173 faqeve të reja të lojërave të fatit online, të cilave u shtohen edhe 53 të bllokuara muajin e kaluar, duke çuar numrin total në 226. Ky veprim është pjesë e aksionit kundër bixhozit ilegal në vend, që sipas tij ka dëmtuar rëndë individët dhe familjet shqiptare. Mexhiti theksoi se lufta kundër kësaj industrie të paligjshme do të vazhdojë edhe më tej, transmeton Portalb.mk.
“Në përmbushje të njërit prej zotimeve më të qarta që dhamë para qytetarëve, Qeveria ka marrë vendim për bllokimin e 173 faqeve të kumarit e bixhozit online, të cilat në mënyrë të paligjshme kanë ofruar shërbime të lojërave të fatit në vendin tonë. Së bashku me 53 faqet që u bllokuan muajin e kaluar, ky numër tashmë shkon në 226”, tha Mexhiti.
Kjo që i ka bërë BDI shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut sipas Mexhiti është një katastrofë e rëndë, dhe se për këtë katastrofë përgjegjësi do të ketë.
“Brenda vetëm një viti, kemi arritur ta ulim për 40% veprimtarinë e lojërave të fatit në vend. Ky është një hap i madh dhe një dëshmi e qartë e vendosmërisë së VLEN-it për të mos bërë kompromis me askënd që cënon shoqërinë ton”, tha Mexhiti.
Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për lojërat e fatit, i cili është në procedurë qeveritare, pritet që numri i klubeve që organizojnë lojëra fati të zvogëlohet.
Kujtojmë se kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” duhej të mbyllej në një prej seancave të Qeverisë në shtator të vitit 2024, kjo sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Por, tetë muaj nga ky premtim, kjo kompani vazhdon të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë. Të pyetur në shkurt të këtij viti nga Portalb.mk, Qeveria thotë se është proces kompleks dhe se kërkon analizë të detajuar pa specifikuar nëse do të mbyllet.
Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. “MegaWin” është kompania e vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut.