‘Varfëria menstruale’ në shkollat e Shkupit, mungesa e produkteve higjienike i vëndos vajzat në pozitë të vështirë

Kur nxënëset e shkollave të mesme në Shkup, papritmas gjatë orarit mësimor ndjenjë sikletin e menstruacioneve, tek ato ngjallet ndjenja e turpit dhe shqetësimit. Aq më keq, pos kësaj ndjenje të keqe ato detyrohen të kërkojnë peceta nëpër shoqe dhe klasa të tjera, madje shpesh ndodh të shkojnë në shtëpi për të ndryshuar rrobat. Ky shqetësim mund të lehtësohet nëse shkollat në Shkup do të mundësonin të ketë produkte menstruale nëpër tualete. Megjithatë, as shkollave dhe as institucioneve “nuk u shkon ndërmend” për të ndërmarrë një nismë të tillë edhe përkundër kërkesave të nxënësve dhe insistimit nga shoqëria civile. Gjinekologët theksojnë sesa e rëndësishme është higjiena dhe shmangia e infeksioneve intime, shkruan Portalb.mk.

“Isha e papërgatitur, më erdhën menstruacionet gjatë orës së mësimit”

Muajin që lamë pas, nxënësja e vitit të tretë në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup u gjend në një situatë të sikletshme.

Asaj i kishin ardhur menstruacionet gjatë orës së mësimit, ndërsa nuk kishte me vete produkte menstruale.

“Nuk arrita t’i shmangem njollës së dukshme në rroba. U ndjeva e turpëruar dhe isha në siklet të madh se si të ngrihesha nga karrigia. Pastaj isha e detyruar të ngrihem dhe të shkoj në tualet, edhe pse më ndihmuan shoqet e kuptuan e gjithë klasa. Duke u ndjerë që po më shikonin të gjithë dhe duke kuptuar që e kishin vënë re, e përjetova një ndjesi turpërimi dhe shqetësimi”, tha nxënësja.

Ajo tregoi se u detyrua të shkonte në shtëpi për t’i ndryshuar rrobat, ndërsa kjo përvojë, siç thotë ajo, i la shije të hidhur dhe nxori në pah mungesën e kushteve të përshtatshme për vajzat dhe higjienën e tyre menstruale në shkollë.

Portalbi në terren, në tualete të shkollave në Shkup nuk ka produkte menstruale

Për të pasur një pasqyrë më të qartë, Portalb.mk vizitoi tri shkollat e mesme në Shkup: “Cvetan Dimov”,“Zef Lush Marku” dhe “Arseni Jovkov”.

Në tualetet e këtyre shkollave nuk ofrohen produkte menstruale si peceta higjienike apo tamponë.

Tualeti në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup. Foto nga Portalb.mk

Ndërkaq, nxënëset thonë se jo gjithmonë janë të përgatitura kur ju vijnë menstruacionet dhe se ofrimi i këtyre produkteve në shkolla do ishte lehtësim për ata, si ekonomik ashtu edhe në aspektet tjera.

Nga ardhja e ciklit në mes të orës deri te ngecja në tualet

Nxënësja e vitit të parë në “Cvetan Dimov”, Nurije Qailovska tregoi se gjatë mësimit nuk i ka ndodhur që të ketë probleme me ciklin, megjithatë shoqja e saj është gjendur në një situatë jo të këndshme.

“Shoqes time i ka ndodhur që gjatë orës së sportit i kanë ardhur menstruacionet dhe i ka përlyer rrobat, është detyruar të shkojë në shtëpi për arsye se nuk kemi pasur peceta. Në shkollë mungojnë produktet e tilla, mendoj se është mirë që të kemi nëpër tualete, sepse ndodhë që nuk mund ta dimë datën e saktë se kur mund të jemi me cikël, dhe për shkak se jo çdo kush jeton në rrethinë, dikush jeton më larg, dhe ne nxënësit mos të kemi nevojë të dalim jashtë shkollës për të gjetur produktet e posaçme”, tha Qailovksa.

Tualeti në shkollën e mesme “Zef Lush Marku” në Shkup. Foto nga Portalb.mk

Nga ana tjetër, nxënësja e vitit të parë në “Zef Lush Marku” Erza Memeti tregoi se ka pasur rast kur ka mbetur në tualet për arsye se nuk ka pasur peceta.

“Kam pasur rast që nuk kam pasur peceta në shkollë dhe më është dashur t’i pyes të gjitha shoqet nëpër klasa tjera derisa të gjejë një pecetë, dhe kjo pjesë është shumë pak problem. Mendoj se është shumë e nevojshme t’i kemi këto produkte menstruale në shkollë, sepse ne ndonjëherë nuk mund ta dimë datën e saktë”, tha Memeti.

Tuana Daci nga shkolla ekonomike “Arseni Jovkov” kërkon që shkollat të kenë produkte menstruale.

“Por, edhe ne vajzat duhet të kemi kujdes dhe duhet të jemi të përgatitura për çdo rast nevoje”, tha Daci.

Përveç varfërisë menstruale në shkolla, nxënëset hasin edhe vështirësi komunikimi me profesorët

Erina Aliji nga shkolla “Zef Lush Marku” tregoi se e kanë të vështirë të shprehen para profesorëve burra për problemet e tyre gjatë ciklit.

“Shyqyr që kemi kujdestare klase dhe e kemi më të lehtë për të na kuptuar, sepse ka pasur raste që kemi pasur probleme me ciklin edhe gjatë mësimit me profesorë të gjinisë mashkullore e kam pyetur të lirojë gjatë orës ai nuk më ka kuptuar dhe, është dashur të pres deri sa të bie zilja, pastaj pas mbarimit të orës së mësimit nuk kam mundur të ngrihem nga karrigia sepse më i kisha të ndotura pantallonat, dhe për këtë mendoj se duhet të kemi më shumë kushte dhe kujdes ndaj këtyre gjërave”, tha Aliji.

Lavaman, mungesa e produkteve higjienike në shkollën e mesme “Zef Lush Marku” në Shkup. Foto nga Portalb.mk

Hava Limani nxënëse e vitit të katërt në “Arseni Jovkov” thotë se në mungesë të pecetave në shkollë, ato i drejtohen profesoreshave.

“Mua më ka ndodhur më kanë ardhur menstruacionet në shkollë dhe për fat të keq kam qenë e papërgatitur pasi që nuk kemi në shkollë peceta jam drejtuar te kujdestarja e klasës, dhe ajo më ka ndihmuar. Unë mendoj se duhet të kemi peceta të gjithë vajzat kemi nevojë t’i kemi, se ka raste që jemi të pa përgatitura dhe jo çdoherë mund të na ndihmojnë shoqet. E shoh si problem të drejtohemi te profesorët e gjinisë mashkullore, dhe ndihem e turpëruar me atë frikë se ndoshta nuk më kupton”, tha Limani.

Edhe Berina Tairi, nxënëse e vitit të dytë e të njëjtës shkollë thotë se duhet të ketë trajnime në shkolla për të dyja gjinitë.

“Unë mendoj se ende është një temë tabu, në të cilën më vjen turp t’i tregoj profesorëve, por drejtohem te profesoresha sepse ka raste kur ndihem e turpëruar dhe nuk mund të shprehem lirshëm. Për këtë arsye mendoj se duhet të ketë peceta nëpër shkolla, dhe për shkak të hormoneve ka raste kur nuk mund ta dimë datën e saktë. Po ashtu mendoj se duhet të diskutohet më shumë nëpër shkolla, dhe se duhet të kemi ndonjë orë shtesë ose trajnim për të gjithë”, tha Tairi.

Lavaman, mungesa e produkteve higjienike në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup. Foto nga Portalb.mk

Stafi i shkollave mbështet idenë që të ofrohen produktet higjienike për nxënëset

Në “Zef Lush Marku” takuam profesoreshën Ajshe Beqiri, ajo tha se duhet të ndahen para nga buxheti vjetor i shkollës për produkte menstruale.

“Mendoj se është mirë që të ndërmerren masa në çdo shkollë dhe të ketë ndonjë buxhet prej shkollës, prej ndonjë organizate apo prej institucioneve përkatëse pavarësisht se nga të vijnë ato burime të mjeteve ose direkt të sjellin mjete, lecka higjienike, peceta etj… për vajzat gjatë ciklit menstrual që t’i përdorin. Duke u bazuar nga nxënësit e shkollës tonë kemi nxënës që nuk kanë mundësi ekonomike shumë të mira, dhe ato kanë probleme më të mëdha rreth blerjes së pecetave”, tha Beqiri.

Zëvendës-drejtoresha e shkollës “Arseni Jovkov”, Alma Toçi tha se në mungesë të produkteve menstruale nga shkolla, ajo mban peceta higjienike për nxënëset.

“Është mirë të kemi peceta në shkollë dhe t’i furnizojmë nxënëset kur u shfaqet nevoja me qëllim që mos të largohen prej orës së mësimit, kurse ka raste kur kërkojnë të shkojnë edhe në shtëpi sepse kanë dhimbje. Nxënëset kërkojnë nga unë që t’i tregoj profesorëve kur hasen me probleme të tilla sepse ato kanë turp t’i tregojnë gjinisë mashkullore”, tha Toçi.

Profesoresha Lindita Murseli nga “Cvetan Dimov” thekson se varfëria menstruale ende është temë tabu dhe se mungon edukimi seksual te të rinjtë.

“Për kaq vite sa punoj në lidhje me ciklin menstrual tek vajzat nuk kanë hasur ndonjë problem që mund të merret si problem përveç se ju kanë munguar produkte dhe është dashur t’i lëshojmë brenda orës së mësimit. Ndonjë vështirësi tjetër nuk kemi hasur, por që ka pasur probleme edhe me hormonet gjatë kësaj periudhe. Është mirë të kemi produkte në shkollë në rast nevoje t’iu shërbejmë vajzave”, tha Murseli.

Reaktor: Vajzat duan t’u ofrohen produkte menstruale nëpër tualete

Organizata Reaktor ka kryer një hulumtim së bashku me organizatën Tiiiit! Inc për produktet menstruale, nga ku ka dale në pah edhe problemi i mungesës së produkteve menstruale nëpër shkolla, dhe se gratë dhe vajzat mbështesin idenë e ofrimit të produkteve menstruale nëpër tualetet publike.

“Është e pamundur të flitet për ndryshime të qëndrueshme nëse nuk ka proaktivitet nga ana e shtetit. Vendosja e ndryshimeve të qëndrueshme në qëndrimet për shëndetin menstrual brenda dhe jashtë shkollave është një sfidë e vërtetë pa mbështetjen e vendimmarrësve kombëtarë për këto çështje”, thanë nga Reaktor.

Higjiena parandalon infeksionet

Në ambientet shkollore duhet të mirëmbahen tualetet dhe të ofrohen produkte menstruale për vajzat. Kështu thotë gjinekologia Nurxhane Sulimani, ajo thekson se kështu parandalohen infeksionet.

“Një ambient shkollor duhet të ketë ujë të rrjedhshëm të testuar pa baktere dhe tualete të mirëmbajtura nga ana higjienike, si dhe mjete higjienike që e lehtësojnë mirëmbajtjen e lëkurës dhe organeve gjenitale. Gjithashtu duhet të ketë peceta dhe gjithçka tjetër që ndihmon në shmangien e infeksioneve gjenitale femërore. Si gjinekologe, i japim theks të veçantë parandalimit të këtyre infeksioneve dhe shtimit të mjeteve higjienike në institucionet arsimore për të siguruar një rini me të ardhme më të shëndetshme riprodhuese”, tha Sulimani.

Ajo apeloi te institucionet përkatëse të kontribuojnë sa më shumë në kompensimin e mungesës së këtyre kushteve.

Institucionet nuk e kanë ndërmend të sigurojnë produkte

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se nuk parashikojnë ndonjë masë për ofrimin e produkteve menstruale nëpër tualete të shkollave.

Instituti i Shëndetit Publik nuk ka kryer ndonjë studim në lidhje me produktet menstruale nëpër shkolla, ndërsa na drejtuan te Ministria e Arsimit dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit.

As Byroja e Zhvillimit të Arsimit nuk ka realizuar ndonjë aktivitet të këtillë.

“Por, kjo temë realizohet në formë të projekteve nga ana e organizatave jo qeveritare në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shoqatës e Gjinekologëve. Këto aktivitete për të funksionuar në shkolla të mesme gjithsesi se marrin pëlqimin e Ministrisë së Arsimit”, thanë nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave edhe pse na konfirmuan se do do i shqyrtojnë pyetjet gazetareske për këtë problematikë, deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën.

Artikuj të gjatëBarazi gjinoreByroja për Zhvillimin e Arsimit RMV (BZHA)Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)MenstruacioneMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Ministria e Financave (MF)Ministria e Shëndetësisë (MSH)