Mejlane Selmani në OpenMic: Njerëzit çuditen kur më shohin se ngas traktorin, bujqësinë nuk ma ka imponuar askush

Në episodin e gjashtë të OpenMic në Portalb flasim me Mejlane Selmanin nga Velesi, studente e psikologjisë e cila nget traktorin dhe merret me kultivimin e duhanit.

Ajo është ndër të paktat vajza që nget traktorin në vendin tonë dhe kjo për shumë njerëz “përbën lajm”. Në bisedë me të, ajo theksoi se gjithmonë e ka pasur pasion natyrën dhe të jetë e zonja e vetes.

“Shpesh herë kur njerëzit mësojnë se unë di të ngas një mjet të madh siç është traktori dhe punoj me bujqësi ata çuditen dhe më përgëzojnë për guximin të kam për të punuar një punë të rëndë fizike. Janë habitur më shumë kur unë kam pasur veç më 12 vjeç dhe kam filluar të ngas një mjet të madh si traktori, ndërsa entuziazmi më shtyu që të ngas pas disa viteve edhe veturën”, tha Mejlanja.

Duke folur për një ditë të zakonshme në fushë, tha se është mësuar tani më me këtë rutinë, por që është edhe sfiduese.

“Është pak rrezik, sepse në ora tre të natës ngrihemi dhe shkojmë në fushë deri nga ora 10 e mëngjesit mbarojmë, kthehemi në shtëpi pushojmë dhe pasdite nga ora 4 dalim deri në ora 7 e gjysmë 8 mbarojmë dhe kthemi përsëri në shtëpi, çdo ditë e njëjta rutinë. Është e lodhshme, por kur e do një punë ja kalon shumë më lehtë”.

Ajo tha se këtë punë nuk ia ka imponuar askush.

“Kam dashur vetë për shkak se pse jo të financohem vetë, tani i kam studimet, e kam pasur gjithmonë atë të jem e pavarur nga prindërit, nuk dua që prindërit t’i them më jep kaq të holla që të paguaj semestrin, ose më jep kaq të holla të bëj shoping. Shohim të rinj dhe të reja që janë të varur nga prindërit, shohin jetën e luksit, shohin njerëz që janë të suksesshëm ndërsa vetë kanë vetëbesim të ulët se si të ja dalin mbanë”, tha ajo.

Mejlanja është edhe studente e psikologjisë në Shkup, ajo tha se jeta midis studimeve dhe bujqësisë është e vështirë por jo e pamundur.

“Një profesoreshë e imja më tha Mejlan ti gjithmonë ditën e hënë vonohesh, një ditë i erdhi momenti që të ja tregoja rastin tim dhe më shikoi me habi dhe më tha të lumtë për guximin edhe me bujqësi edhe me studimet. Ja kaloj nuk e kam problem, ka pasur raste që kam ardhur prej fushe, jam pastruar jam veshur dhe jam nisur direkt për në fakultet, nuk më vjen shumë interesante kjo”, tha mes tjerash ajo.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.

Bujqësi - Bujk - FermerëCTRL Z – CTRLZDuhaniOpenMic