Naim Iljazi në OpenMic: Të rinjtë do rinë në kafene nëse nuk u ofrohen mundësi tjera, në RMV mungon organizimi institucional

Në episodin e njëmbëdhjetë të OpenMic në Portalb.mk flasim me politologun dhe njohësin e çështjeve rinore Naim Iljazin.

Me atë biseduam për problematikat me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, trajtimin e tyre nga institucionet, organizimet rinore, jetën rinore dhe studentore në Tetovë si shumë të tjera në këtë drejtim.

Ai theksoi se periudhën e fundit ka rënie të potencialit të të rinjve, të aktivitetit të tyre në shoqëri, kjo sipas tij vjen si pasojë e asaj se vendi kalon nëpërmjet një krize kulturore.

Sipas tij, duhet qasje më serioze ndaj problemeve reale me të cilat ballafaqohen të rinjtë.

“Ne duke u devijuar nga problemet reale flasim për politika madhore që do ta rregullojmë çështjen botërore, do ta rregullojmë çështjen në Amerikë, do të zgjedhim president, do rregullojmë luftën në Ukrainë, do sjellim paqe në botë dhe lumturi në botë, jo nuk sjellim as paqe në botë, as nuk do ta ndalim luftën në Ukrainë, as nuk do ta zgjedhim presidentin në SHBA, por duhet t’i rregullojmë politikat që i kemi në vendin tonë, të krijojmë një standard më të mirë dhe jetë më të mirë, si për rininë ashtu edhe për çdo qytetar tjetër”, tha Iljazi.

Sipas Iljazit, vendi qëndron shumë mirë deklarativisht për problemet rinore, por në praktikë mungon organizimi institucional. Andaj, siç tha ai, derisa të rinjve nuk u ofrohen mundësi dhe hapsira, ata do vazhdojnë të rinë nëpër kafene.

“Kafeja është një vend tradicional te ne ka qenë e vetmja hapsirë sociale për të rinjtë, të rinjtë nuk kanë pasur qendra rinore, të rinjtë nuk kanë pasur hapsira për tu shprehur, të rinjtë nuk janë marrë parasysh në mendimet e tyre dhe ata e kanë parë si të vetmen hapsirë sociale, e kanë parë si një klub social, unë nuk i paragjykoj të rinjtë nëse nuk ju ofrohet diçka, atëherë kafeja do të shërbejë si qendër sociale për ato”, tha Iljazi.

Ai mes tjerash foli edhe për jetën rinore në Tetovë, ai tha se të rinjtë nuk e ndjejnë qytetin si të vetin dhe se i njëjti është shndërruar në një kontejner të madh.

Për fund, Iljazi porositi që të rinjtë të përballen sa më shumë me sfidat dhe mundësitë të cilat u jepen.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.

OpenMicTë rinj - Rini - Rinia