Me vizitën në Maqedoninë e Veriut, Von der Leyen do të fillojë turneun katërditor në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme

Me vizitën në Maqedoninë e Veriut më 29 dhe 30 tetor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të fillojë turneun katërditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Sipas paralajmërimeve, shefja e KE-së do të arrijë në vend të dielen, kur është paraparë të takohet me presidentin Stevo Pendarovski. Të hënën, pritet të realizohet takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Tani për tani nuk është paralajmëruar takim me liderin e VMRO – DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski.

Mickoski tha se tani për tani nuk është dakorduar takim me Von der Leyen-in, por se mbetet në qëndrimin e njëjtë për ndryshimet kushtetuese.

Në kumtesën e Komisionit Evropian theksohet se gjatë kohës së qëndrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, Leyen do të prezantojë detaje nga plani i Bashkimit Evropian për zhvillim të rajonit.

Nga Shkupi, Leyen do të udhëtojë për Prishtinë, ku do të ketë takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Prej atje, më 31 tetor Leyen do të shkojë në Podgoricë, ku pritet të ketë takim me presidentin malazez Joakov Milatoviq dhe kryeministrin Dritan Abazoviq.

Në të njëjtën ditë, Leyen do të vizitojë edhe Beogradin, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Turneun u saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Leyen do ta përfundojë në Sarajevë, ku pritet të bisedojë me anëtarët e presidencës së BeH dhe me presidenten e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.

Më 15 dhe 16 tetor të këtij viti, Leyen ishte për vizitë në Shqipëri, ku u mbajt samiti i Procesit të Berlinit. Aty, liderëve të BE-së dhe rajoni ua prezantoi planin e ri për zhvillim të Ballkanit Perëndimor, për të cilin tha se ka potencial të dyfishojë madhësinë e ekonomisë në rajon në këtë dekadë. Plani ka katër shtylla – integrim në një treg të vetëm, bashkëpunim më të thellë rajonal ekonomik, përshpejtim i reformave themelore dhe ndihmë më të madhe financiare paraqasëse.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Ballkani PerëndimorEurointegrime Negociata RMV-BEKomisioni Evropian (KE)Ursulla fon der Llajen (Ursula von der Leyen)