Me librin “Gjyshja më ka treguar – 2” u përmbyll me sukses projekti “Thesare të trashëgimisë – III”

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup sot u promovua libri “Gjyshja më ka treguar – 2”, botuar nga Shoqata për Veprim Qytetar Kulturor “Dea 22 Shkup”, njofton Portalb.mk.

Drejtori i Institutit Skender Asani tha se është mirënjohës i gjithë anëtarëve për këtë projekt.

“Udhëheqësja e këtij projekti, Laura Papraniku, e cila është edhe punonjëse shkencore e Institutit, ka bërë një punë të çmuar në aktivizimin e kreativitetit dhe imagjinatës krijuese te nxënësit e klasave të ulëta. I jam mirënjohës Laurës dhe anëtarëve të tjerë të këtij projekti, për veprimtarinë dobiprurëse që po bëjnë në nxitjen e mendimit të lirë e kreativ tek moshat e reja”, tha Asani.

Kopertina e librit, foto nga ITKSh

Laura Papraniku tha se ky është një aktivitet modest, por me një domethenie të madhe.

“Tregimet, përrallat të cilat i kanë treguar gjyshet dhe gjyshërit, e që kan ardhur të ritreguara përmes nxënësve të këtij projekti tani më janë në një produkt final dhe ne këtu kemi të botuara tregimet e nxënësve pjesmarrës në puntorit edukative të vitit të kaluar pjesë e të cilëve janë edhe nxënësit e Shkollës Fillore Lira-Shkup. Libri “Gjyshja më ka treguar – 2” është dëshmi e gjallë e entuziazmit dhe seriozitetit të një grupi të gjerë njerëzish të cilët janë angazhuar dhe i kan dhënë frymë këtij projekti”, tha Papraniku, udhëheqëse e projektit.

Profesoresha Merita Abazi në fjalën e saj përshëndetëse tha se porositë edukative janë shumë të rëndësishme.

“Me anë të përrallave ne shohim shumë gjëra të bukura. Lëre që kanë atë kuptimin edhe rëndësinë historike, por e kanë edhe rëndësinë e madhe edukative sepse populli në raste të ndryshme të vështira dhe të rënda kanë gjetur një zgjidhje. Kjo zgjidhje tregohet nëpërmes përrallave, është ajo një fantazi jashtëzakonisht imagjinative e pasur e bujshme që vazhdimisht gjindet një zgjidhje, pa marrë parasysh se në çfarë situate të gjindet personazhi apo disa personazhe të përrallave tona, përsëri do të gjindjet zgjidhja dhe porositë edukative janë shumë të rëndësishme”, tha Abazi.

Aktivitet u realizua në bashkëpunimin e kolegëve të  Instituti të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Ministrisë të Kulturës, shkollave, studiuesve, artistëve që i kan mbështetur me përkrahje të veçantë nga gjyshet dhe gjyshërit tanë.

EkspozitëInstituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH)Libra