Kafe “Zana” (1983) – një kapitull i kujtesës qytetare të Tetovës

Shkruan: Mislim Zendeli 

Një rrëfim për modernitetin, muzikën, jetën intelektuale dhe sfidat e një kohe

Një ide e re në Tetovën e viteve ’80

Çdo qytet ka vendet e veta që, përtej funksionit të tyre të zakonshëm, bëhen pjesë e kujtesës kolektive. Janë hapësira ku takohen njerëzit, lindin miqësi, shkëmbehen mendime dhe krijohen kujtime që mbijetojnë edhe kur vetë ato vende nuk ekzistojnë më.

Një vend i tillë në Tetovën e viteve ’80 ishte edhe kafe “Zana”.

Me datë 1 dhjtetor viti 1983, në rrugën Todor Cipovski–Merxhan, pranë ish-kinemasë “19 Nëntori”, hapi dyert kafe “Zana”, një lokal që e konceptova sipas modelit të kafeneve moderne evropiane.

Ideja ime ishte të krijoja diçka ndryshe nga lokalet tradicionale të kohës: një ambient bashkëkohor, me enterier të veçantë, muzikë cilësore dhe kulturë të re shërbimi e shoqërimi.

Nuk e kisha menduar atëherë se kjo sipërmarrje do të bëhej një pjesë kaq e veçantë e kujtimeve të mia dhe, besoj, edhe e kujtesës qytetare të Tetovës.

Foto nga Mislim Zendeli

Emri “Zana” – Mes muzikës dhe realitetit politik

Edhe zgjedhja e emrit kishte historinë e vet.

Në atë kohë ishte shumë i njohur grupi pop-rock “Zana”, me vokalisten e tij të parë, Zana Nimani, me prejardhje shqiptare nga Kosova. Emri i kafenesë lindi si një ide që ndërthurte admirimin për muzikën moderne me nevojën për t’iu përshtatur rrethanave politike të kohës. Në njëfarë mënyre, emri i grupit muzikor shërbente edhe si kamuflim për përdorimin e një emri shqip.

Duhet kujtuar se jetonim në një periudhë kur emrat shqiptarë me domethënie kombëtare apo patriotike përballeshin me kufizime dhe pengesa nga autoritetet. Sipas përvojës dhe kujtimeve të mia, kjo klimë prekte jo vetëm emërtimin e veprimtarive private, por edhe zgjedhjen e emrave të fëmijëve, sidomos kur ata konsideroheshin shprehje të identitetit kombëtar.

Pas demonstratave të shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, klima politike në Jugosllavi ishte rënduar. Autoritetet kishin shtuar ndjeshmërinë dhe kontrollin ndaj shprehjeve që i konsideronin nacionaliste apo irredentiste shqiptare.

Në këtë atmosferë, këngët patriotike, simbolet kombëtare, flamuri dhe emrat me kuptim kombëtar mund të bëheshin objekt dyshimi. Prandaj, për mua, emri “Zana” nuk ishte vetëm një zgjedhje estetike apo muzikore. Ai ishte edhe një mënyrë për të ruajtur një lidhje simbolike me identitetin shqiptar, pa tërhequr menjëherë vëmendjen e autoriteteve.

Arkitektura dhe enterieri – Një risi për kohën

Kafe “Zana” u ndërtua sipas projektit të arkitektit Dame Rafajloski. Meqenëse lokali kishte mundësi për ndërtim çardaku brenda tij, edhepse hoqëm shumë derisa gërryem tokën për të arritur lartësinë e duhur, në konsultim me arkitektin vendosëm që një pjesë të hapësirës mbi banak ta shfrytëzonim për ndërtimin e një galerie të brendshme, duke krijuar një nivel të dytë funksional. Kjo zgjidhje arkitektonike i dha lokalit një pamje të veçantë dhe e dallonte nga shumë ambiente të tjera të kohës. Enterieri ishte kryesisht prej druri, i realizuar në stil modern. Punimet i kreu me mjeshtëri zdrukthëtari i njohur Zejneli, ndërsa banakun e punoi mjeshtri Shabani nga “Frigo Teknika” e Bogovinës.

Për mua ishte me rëndësi që çdo element, nga organizimi i hapësirës deri te materiali dhe ndriçimi, të krijonte një ambient të ngrohtë, elegant dhe të përshtatshëm për shoqërim.

Edhe përgatitja e kafesë ishte pjesë e këtij koncepti. Kafenë espresso, që atëherë për shumë klientë përbënte një risi, e përgatisnim me një aparat italian “Gaggia”.

Oferta përfshinte pije të ndryshme alkoolike dhe joalkoolike, si dhe pije të ngrohta, por nuk servonim fare ushqime.

Synimi ishte i qartë: të krijonim një kafene në kuptimin evropian të fjalës, ku njerëzit vinin jo vetëm për të konsumuar diçka, por edhe për atmosferën, muzikën dhe shoqërinë.

Foto nga Mislim Zendeli

Njerëzit që i dhanë jetë “Zanës”

Asnjë lokal nuk mund të krijojë identitet pa njerëzit që punojnë në të.

Nga kamerierët e parë më kujtohen Iliri, djali i poetit Mustafa Laçi, Selami, Fadili, Reshati, dhe Fatoni. Pas banakut punonte Mumini, Salimi, e më vonë Nebiu, i njohur me nofkën “Vokri”.

Ishin të rinj që, secili në mënyrën e vet, kontribuuan në krijimin e atmosferës dhe kulturës së shërbimit që dëshironim të sillnim. Edhe unë, ndonëse merresha me drejtimin dhe organizimin e punës, shpesh u ndihmoja në orët e pikut, kur lokali mbushej me klientë.Kishim krijuar një frymë bashkëpunimi dhe përkushtimi, sepse e dinim se po ndërtonim diçka që duhej të dallohej për cilësi dhe sjellje profesionale.

Muzika – Shpirti i kafenesë

Një nga elementet që e bënte “Zanën” të veçantë ishte muzika. Lokalin e pajisëm me një sistem cilësor zërimi, me kasetofon dhe gramafon bashkëkohorë për atë periudhë.

Për përzgjedhjen dhe sigurimin e muzikës kujdesej në masë të madhe shoku im i ngushtë, tashmë i ndjerë, Muharem Ahmedi, nga Çellopeku. Muharemi atëbotë punonte në Vjenë. Ishte dashamirës dhe njohës i mirë i muzikës zbavitëse botërore. Ai më sillte disqe gramafoni, veçanërisht singla me hitet më të njohura ndërkombëtare, të cilat shpesh nuk mund të gjendeshin lehtë në tregun tonë.

Nga këngët që më kanë mbetur në kujtesë ishin:

Billie Jean- Michael Jackson

Power Felicità- Al Bano & Romina

Sweet- Eurythmics

L’Italiano- Toto Cutugno

Just Called to Say I Love You- Stevie Wonder

Girls Just Want to Have Fun- Cyndi Lauper

99 Luftballons- Nena

Këto dhe shumë këngë të tjera të zhanreve të ndryshme të muzikës zbavitëse jehonin në kafenenë tonë.

Duhet pasur parasysh se atëherë mundësitë për të dëgjuar muzikën më të re ndërkombëtare ishin shumë më të kufizuara se sot. Radiot lokale nuk i përfshinin domosdoshmërisht këto hite në programet e tyre, ndërsa sigurimi i disqeve origjinale nuk ishte i lehtë.

Prandaj, për shumë të rinj, “Zana” ishte edhe një vend ku mund të dëgjonin muzikën që ishte në modë në qytetet evropiane.

Muzika nuk ishte thjesht sfond. Ajo ishte pjesë e identitetit të kafenesë.

Një hapësirë e re shoqërimi për shqiptarët e Tetovës

“Zana” u prit jashtëzakonisht mirë, veçanërisht nga komuniteti shqiptar i Tetovës por me kalimin e kohës filluan të gravitojnë dhe të ri të komunitetit maqedon, edhepse në atë periudhë, ata tashmë një kafeteri të njohur, “Gogo”, ndërsa në mesin e shqiptarëve kultura e kafeneve moderne ende nuk ishte përhapur në të njëjtën masë.

“Zana” shumë shpejt u bë një vend i pëlqyer, sidomos nga të rinjtë dhe intelektualët.

Një dukuri që më ka mbetur veçanërisht në kujtesë ishte fillimi i frekuentimit të kafenesë edhe nga të rejat shqiptare.

Për realitetin shoqëror të asaj kohe, kjo ishte disi e pazakontë. Megjithatë, prania e tyre u pranua shumë mirë dhe gradualisht u bë pjesë e natyrshme e atmosferës së lokalit.

Në këtë kuptim, “Zana” nuk solli vetëm një mënyrë të re të konsumimit të kafesë, por edhe një kulturë tjetër të komunikimit dhe shoqërimit. Ky lokal u bë një vend ku takoheshin të rinj e të reja, profesionistë, intelektualë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme.

Vendtakim i intelektualëve dhe personaliteteve tetovare

Me kalimin e kohës, “Zana” u bë vendtakim i shumë personaliteteve të njohura të Tetovës dhe rrethinës.

Nga frekuentuesit e saj më kujtohen profesor Miftar Ziberi, prof. Ruzhdiu, politikanë të asaj kohe si: Abduraman Aliti atëkohë ishte anëtar Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Tetovës i ngarkuar me çështjet juridike, Mitat Emini, Iljaz Sabriu, i cili vinte herë pas here e që në vitin 1983 mbante funksionin e kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Tetovës dhe shumë të tjerë.

Ndër klientët më besnik me sa më kujtohen ishin mjekët e njohur, si dr. Ibrahimi, dr. Habili, dr. Ismaili, dr. Metalibi  por dhe shumë intelektualë dhe fytyra të tjera të jetës publike, emrat e plotë të të cilëve nuk më kujtohen për momentin. Aty gravitonin njerëz të profesioneve dhe bindjeve të ndryshme, por që i bashkonte dëshira për shoqërim, bisedë dhe shkëmbim mendimesh.

Në kujtesën time, “Zana” u bë një nga vendet ku mblidheshin njerëzit përparimtarë dhe një pjesë e elitës intelektuale të Tetovës. Sigurisht, jo çdo takim kishte karakter politik. Përkundrazi, pjesa më e madhe e jetës së kafenesë zhvillohej rreth bisedave të përditshme, muzikës, miqësisë dhe shoqërimit.

Por në rrethanat e atëhershme, edhe një vend i zakonshëm takimi mund të shihej me dyshim nga pushteti.

Kaseta me këngë shqipe dhe fillimi i dyshimeve

Një episod që më ka mbetur thellë në kujtesë lidhet me profesor Miftar Ziberi. Një ditë ai më solli një kasetë magnetofoni me këngë në gjuhën shqipe nga “Jugotoni” i Zagrebit. Me sa më kujtohet, bëhej fjalë për këngët e Shkurte Fejzës. Ishte ndër kasetat e para me këngë shqipe që lëshuam në kafenenë tonë e që paraqiste një risi për atë kohë. Këngët u pritën shumë mirë nga klientët.

Por në atë kohë, sipas përvojës sonë, transmetimi i këngëve shqipe në lokale publike përballej me ndalime dhe kufizime, veçanërisht kur përmbajtja e tyre konsiderohej patriotike.

Në klimën politike që mbizotëronte pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, edhe kënga shqipe mund të interpretohej si shprehje e nacionalizmit.

Dalëngadalë, për “Zanën” filluan të qarkullonin etiketime të tilla si “çerdhe e nacionalizmit shqiptar” dhe “çerdhe e irredentizmit”. Ishin akuza që nuk kishin lidhje me qëllimin për të cilin e kisha hapur kafenenë, por që pasqyronin mënyrën se si autoritetet i shihnin disa nga format e organizimit dhe shoqërimit të shqiptarëve.

Presionet e milicisë dhe dosja e “Zanës”

Diku nga fillimi i vitit 1985 filluan presionet më të drejtpërdrejta. U thirra disa herë për biseda në ndërtesën e milicisë së atëhershme, ku më merrej në pyetje për punën, aktivitetin dhe njerëzit që frekuentonin kafe “Zana”. Në këto biseda merrnin pjesë edhe inspektorë shqiptarë që punonin në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por për hir të pasarrdhësve të tyre nuk do përmend emra, edhepse opinioni i njeh shumë mirë.

Arsyetimi që më jepej ishte se në kafenenë time qarkullonin njerëz që konsideroheshin të rrezikshëm për pushtetin. Më kërkohej që lokali të mbyllej.

Më ka mbetur në kujtesë veçanërisht një fjali që ma tha një zyrtar gjatë një prej bisedave të fundit:

“Znaš li ti, dečko, deka imam cela papka za toj kafić?”

Që në shqip do të thotë afërsisht: “A e di ti, djalosh, se kam një dosje të tërë për atë kafene?”

Kjo fjali më ka mbetur në mendje edhe pas kaq shumë vitesh.

Nuk e di se çfarë përmbante ajo dosje, nëse vërtet ekzistonte në formën që ma përshkruanin, apo çfarë ishte shkruar në të. Por e mbaj mend mirë atmosferën e presionit dhe përpjekjet për të më detyruar ta ndërprisja veprimtarinë.

Pavarësisht kësaj, vazhdova punën. Nuk e konsideroja të drejtë që një kafene e hapur për shoqërim, muzikë dhe komunikim të trajtohej si rrezik politik.

Konflikti me ortakun dhe largimi im

Përveç presioneve të autoriteteve, në atë periudhë u përballa edhe me një konflikt të brendshëm që ndikoi në vazhdimin e angazhimit tim në kafene.Bëhet fjalë për një mosmarrëveshje me Mehazin, nipin e ortakut tim, Mustafë Avzii.

Sipas përjetimit tim, konflikti u shoqërua me një padi dhe me akuza që unë i konsideroja të pavërteta. Kjo situatë ndikoi rëndë në marrëdhëniet e mia me ortakun, i cili ishte daja i Mehazit.

Në fund, të gjitha këto rrethana, së bashku me presionet që kisha përjetuar, më çuan drejt vendimit për t’u larguar nga drejtimi i lokalit.

Diku nga fundi i prillit 1985, unë u largova nga kafe “Zana”.

Ishte një vendim jo i lehtë, sepse në atë lokal kisha investuar shumë nga koha, dija, energjia dhe përkushtimi im. Dëshiroja që “Zana” të ishte një simbol i zhvillimit dhe modernizimit të jetës qytetare të Tetovës. Megjithatë, largimi im nuk nënkuptoi mbylljen e kafenesë.

Vazhdimësia e “Zanës” pas largimit tim

Pas largimit tim, drejtimin e kafenesë e mori ortaku dhe bashkëpronari Mustafë Avzii, së bashku me djalin e tij, Rexhepin. Ata e menaxhuan lokalin për disa muaj. Më vonë, sipas informacioneve që më janë përcjellë, me kafenenë ka menaxhuar, ose e ka pasur me qira, Besnik Murati, i njohur edhe për shkollën e tij të karatesë.

Kafeneja vazhdoi të funksiononte me emrin “Zana”, duke ruajtur emërtimin me të cilin ishte bërë e njohur në qytet. Por tani në treg dolën dhe kafeteri të tjera siç ishte kafeneja “Aba”, “Lio”, “ Fixhi” dhe të tjera, të cilat begatuan edhe më tepër ofertën gastronomike të këtij lloji.

Nuk kam të dhëna të plota për të gjitha periudhat e mëvonshme të veprimtarisë së saj dhe as për datën e saktë kur pushoi së funksionuari si kafene.

Sot, hapësira e dikurshme e “Zanës” është shndërruar në dyqan perdesh. Për periudhën dhe rrethanat e këtij transformimi nuk kam informacione të mjaftueshme, prandaj ato nuk janë objekt i këtij rrëfimi.

Pas largimit nga “Zana”, rruga ime profesionale vazhdoi edhe jashtë vendit.

Pas kthimit nga Zvicra, në vitin 1996, iu riktheva veprimtarisë së hotelerisë dhe gastronomisë, duke hapur sallonin e banketeve “Ahengu”, i cili funksionon edhe sot.

Ishte një kapitull i ri i angazhimit tim në këtë fushë, me një koncept dhe përmasa të tjera.

Por “Zana” mbetet një përvojë e veçantë. Ajo ishte sipërmarrja ku, si i ri, u përpoqa të sillja një frymë të re në jetën qytetare të Tetovës, duke u mbështetur te kultura evropiane e kafenesë, muzika moderne, shërbimi profesional dhe dëshira për të krijuar një hapësirë të hapur shoqërimi.

Në vend të përfundimit – Kujtesa e një kohe

Sot, pas më shumë se katër dekadash, kur kthehem me kujtesë te kafe “Zana”, nuk më kujtohen vetëm banaku, galeria, aparati i kafesë apo disqet e gramafonit.

Më kujtohen njerëzit. Më kujtohen të rinjtë dhe të rejat që e mbushnin lokalin, intelektualët që takoheshin aty, miqtë që më ndihmonin, punonjësit që përkushtoheshin dhe muzika që krijonte një atmosferë të veçantë. Më kujtohen edhe vështirësitë, presionet dhe zhgënjimet që shoqëruan atë periudhë. Por mbi të gjitha, më mbetet bindja se “Zana” përfaqësonte diçka më shumë sesa një biznes privat.

Ajo ishte një përpjekje për të sjellë modernitet, për të krijuar një kulturë të re shoqërimi dhe për t’i dhënë qytetit një hapësirë ku njerëzit të ndiheshin më të lirë e më pranë botës bashkëkohore.

Ndoshta shumëkush që e ka frekuentuar “Zanën” ruan kujtime të tjera, fotografi, ngjarje apo emra që mua, pas kaq vitesh, më kanë dalë nga kujtesa. Prandaj, ky rrëfim nuk synon të jetë fjala e fundit për historinë e saj. Përkundrazi, është një ftesë për ta plotësuar kujtesën tonë të përbashkët.

Sepse historia e një qyteti nuk shkruhet vetëm përmes institucioneve, ndërtesave dhe ngjarjeve të mëdha. Ajo jeton edhe në kafenetë e dikurshme, në bisedat e njerëzve, në muzikën që dëgjonin dhe në kujtimet që ia përcjellin njëri-tjetrit.

Kafe “Zana” ishte një prej atyre vendeve.

Dhe kjo është arsyeja pse historia e saj meriton të mos harrohet.

Na ShkruaniReportazh