Ajo nuk fliste më,
Por vetëm lexonte.
Lexonte të pashkruarat…
Me sytë zhbirues,
Kundronte çdo cikërrimë
Dhe kërkonte kuptimin
Në gjërat e imta.
Lexonte pas rreshtave
Karaktere njerëzore,
Si kaleidoskop ngjyrash,
Me mijëra nuanca
Dhe formonte mozaik.
Ajo nuk fliste më,
Por filloi të shkruante
Gjithçka që lexonte…
Për t’i dhënë kuptim
Pranisë në këtë botë
Dhe vuajtjes së regjur
Mbi kraharorin e saj.
Ajo ndiente
atë që nuk shpjegohej,
Besonte të padukshmen
mbi çdo gjë që dukej
dhe, kapur fort,
mbahej pas kësaj.
Zgjodhi të heshtë
e të pikturojë veten
me dromca hyjnie,
t’i kullandrisë n’detaj.
Thërrimë pas thërrime,
sipas modelit të paracaktuar
që Zoti kishte vijëzuar
për hirin e saj.
Autore: Farije Dauti Bakiju