Mbi 5 mijë viktima nga Ebola në Kongo

Më shumë se 5 mijë njerëz kanë vdekur nga Ebola në Republikën Demokratike të Kongos që nga shpallja e shpërthimit në mesin e majit, sipas përditësimit të fundit të situatës të publikuar këtë të shtunë, ndërsa autoritetet luftojnë shpërthimin më të madh të regjistruar ndonjëherë në vend, raporton Euronews..

Numri kumulativ i rasteve ka arritur në 10,351, tregoi përditësimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Shpërthimi i fundit ka prekur tetë provinca: Haut-Uele, Ituri, Kivu Verior, Kivu Jugor, Bas-Uele, Tshopo, Ubangi Jugor dhe Ubangi Verior.

Është shpërthimi më i madh dhe më vdekjeprurës i Ebolës i regjistruar ndonjëherë në Kongo dhe i dyti më i madhi në nivel global, pas epidemisë së viteve 2014-2016 në Afrikën Perëndimore.

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) bënë thirrje të premten për masa më të forta për të mbrojtur punonjësit në vijën e parë, pasi dy mjekë të rinj kongolezë vdiqën nga Ebola në fillim të kësaj jave në provincat e Kivu Veriore dhe Ituri.

Dobësitë e vazhdueshme në zbulimin e hershëm dhe gjurmimin e kontakteve janë ndër pengesat kryesore për ndalimin e transmetimit aktual të Ebolës në Kongo, sipas autoriteteve shëndetësore.

Vetëm rreth 12% e rasteve të konfirmuara në Kongo janë identifikuar midis kontakteve të njohura më parë, me shumë vdekje që kanë ndodhur në komunitete, thanë autoritetet.

EbolaKongoSëmundjeSëmundje të rrallaVdekje