MASH e shpalli konkursin për pranimin e studentëve në konviktet studentore në RMV për vitin shkollor 2025/26

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur konkurs për pranimin e studentëve të regjistruar në studime universitare në konviktet shtetërore dhe private studentore në RMV për vitin akademik 2025/2026, transmeton Portalb.mk.

Studentët mund të aplikojnë për akomodim në 11 konvikte studentore shtetërore dhe private. Janë në dispozicion gjithsej 4,264 shtretër, nga të cilët 851 janë të destinuar për studentët e vitit të parë, ndërsa 3,413 shtretër janë të destinuar për studentët e vitit të dytë deri në të gjashtë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës thekson se studentët mund të aplikojnë vetëm për pranim në një konvikt. Afati për aplikime për studentët nga viti i dytë dhe lartë fillon sot, më 15 korrik, dhe zgjat deri më 31 korrik. Afati i fundit për aplikim për studentët e vitit të parë fillon më 10 shtator dhe zgjat deri më 17 shtator.

“Nëse, pas publikimit të listave përfundimtare të studentëve të pranuar sipas konvikteve, kapacitetet akomoduese në një konvikt të caktuar mbeten të paplotësuara, regjistrimi do të vazhdojë deri në plotësimin e tyre, por jo më vonë se 30 nëntor 2025”, tha Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Studentët që dëshirojnë të aplikojnë për konkursin duhet të plotësojnë një aplikacion elektronik dhe të ngarkojnë dokumentacionin përkatës në portalin e internetit http://e-uslugi.mon.gov.mk.

Më shumë informacion rreth konkursit mund të gjeni KËTU.

Konvikt studentorMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)