Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut seancën e sotme e filloi me një minutë heshtje në respekt për viktimat në dy incidentet e tmerrshme që ndodhën në Republikën e Serbisë, në Beograd dhe afër Mlladenovcit, transmeton Portalb.mk.
Në seancën e e sotme të Qeverisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) janë ngarkuar të përgatisin Strategji për aktivitete parandaluese, me hapa në nivel shtetëror, për të cilat do të ngarkohen të gjitha shkollat, me qëllim parandalimin e hershëm dhe mbrojtje nga incidentet e padëshiruara në shkolla dhe jashtë tyre.
“Njëkohësisht, nga sot është hapur edhe adresa elektronike: pasalinasilstvo@mon.gov.mk, ose në shqip paraqitdhune@mon.gov.mk, ku dhuna e bashkëmoshatarëve do të raportohet thjesht me një mesazh dhe çdo raport do të trajtohet menjëherë”, informuan nga Qeveria.
Nga Qeveria njoftuan se Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë me dije se në vazhdimësi po ndërmerren aktivitete parandaluese dhe se po zbatohen protokollet e kontrollit të sigurisë për hyrjen dhe daljen e nxënësve në shkolla dhe rrethinat e shkollave. Protokollet e tilla, të cilat janë aktivizuar pas raportimeve të rreme për bomba, tashmë do të përforcohen me aktivitete shtesë nga Ministria e Brendshme.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës është bërë e ditur se për shkollat është duke u përgatitur një manual për parandalimin e dhunës së bashkëmoshatarëve dhe llojeve të tjera të dhunës, si dhe se po punohet për fuqizimin e shërbimeve profesionale psikologjiko-pedagogjike, ku ka nevojë.
Në më pak se 48 orë në Serbi kanë ndodhur dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi mbrëmë në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua herët në mëngjesin e sotëm pas një kontrolli të gjerë nga pjesëtarët e Ministrisë.
- LEXO: Edhe një vrasje masive në Serbi, është arrestuar sulmuesi i dyshuar
- LEXO: Dy fëmijë ende në gjendje kritike pas masakrës së djeshme në Beograd, 13-vjeçari ishte përjashtuar nga shoqëria, thotë policia
- LEXO: Djaloshi që vrau nxënësit në Beograd ka pasur listë, plan dhe koktej molotovi, u arrestua edhe babai i tij