Një tjetër viktimë nga ethet e Nilit Perëndimor, 18 pacientë të hospitalizuar

Në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, dje në orët e pasdites ka ndërruar jetë një pacient 72-vjeçar, i prekur nga ethet e Nilit Perëndimor dhe me disa sëmundje të rënda shoqëruese. Pacienti ndodhej në gjendje të rëndë të përgjithshme shëndetësore, me pasqyrë të rëndë klinike, informoi sot drejtori i Klinikës, Fadil Cana, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht, në Klinikë janë të hospitalizuar 18 pacientë, prej të cilëve 15 me ethe të Nilit Perëndimor të konfirmuara laboratorikisht. Tre pacientë ndodhen në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa deri më tani, gjithsej 27 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar nga Klinika.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, informoi se nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari është konfirmuar prania e etheve të Nilit Perëndimor te një korb i ngordhur në Resnjë.

Menjëherë janë njoftuar Qendra për Shëndet Publik në Manastir dhe Komuna e Resnjës për ndërmarrjen e masave të shtuara dhe spërkatje kundër mushkonjave sipas indikacioneve. A

Aktualisht, edhe dy shpendë nga rajoni i Shkupit janë në fazën e testimit.

“Do të ndjekim zhvillimin e situatës dhe do të reagojmë. Është e rëndësishme që qytetarët të raportojnë për korba të ngordhur, pasi korbi në përgjithësi është një shpend që qëndron në një territor të caktuar dhe është tregues i qarkullimit lokal të virusit”, sqaroi ministri Klekovski.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Ethet e Nilit PerëndimorMinistria e Shëndetësisë (MSH)