Trendet demografike, shkalla e ulët e natalitetit, migrimi dhe plakja e përshpejtuar e popullatës, kanë ndikim të rëndësishëm në ekonomi, tregun e punës dhe sistemet e mbrojtjes sociale. Konstatimi “Maqedonia po plaket” nuk është vetëm një frazë që kërkon analizë dhe politika të reja demografike, por është një realitet i përditshëm aktual përballë sfidave për përkujdesje për të moshuarit. Numri i personave që kanë nevojë për kujdes të tillë vazhdimisht rritet, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
“Deri vitin e kaluar ne vinim për të kaluar kohë me prindërit, të afërmit dhe miqtë tanë, por këtë verë kohën tonë këtu do ta kalojmë duke i vizituar shtëpitë e pleqve”, thotë Nikolla M., i cili me familjen e tij për më shumë se një dekadë jeton në Zvicër.
“Kur u larguam nga vendi prindërit e mi ishin ‘në këmbë’, por në dy vitet e fundit ndryshimet janë të dukshme. Këtë vit, pa shoqërues dhe pa transport, ata nuk mund të shkojnë më në ambulantë, në farmaci, në dyqan… Ata kanë nevojë për ndihmë edhe për mirëmbajtjen e higjienës personale. Është e vështirë për ta, por për ne është edhe më e vështirë sepse nuk jemi me ta në pjesën më të madhe të vitit. Jemi një familje e madhe, kemi të afërm, ata ndihmojnë aq sa munden, por edhe ata i kanë punët e tyre. Në dy raste angazhuam privatisht persona që ofrojnë kujdes në kushte shtëpiake, por shumë shpejt edhe ata u larguan jashtë vendit. Në një situatë të këtillë, shtëpitë e pleqve mbeten opsioni ynë i vetëm”, shpjegon djali.
Lista të pritjes
Por edhe të gjesh një shtëpi për pleq nuk është e lehtë, sepse në institucionet publike dhe disa private për akomodimin e të moshuarve ka lista të pritjes. Kapaciteti i përgjithshëm për akomodim në institucionet publike deri në fillim të vitit 2026 ishte 676 shtretër, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm për akomodim në 38 institucionet private është 1.609 shtretër, nga të cilët numri më i madh ndodhen në Shkup.
“Kemi projekte dhe një thirrje publike të hapur gjatë gjithë vitit në të cilën secila komunë mund të dorëzojë një aplikim me projekte për ndërtimin e shtëpive për pleq”, tha ish-ministri i politikës sociale, demografisë dhe rinisë, Fatmir Limani, duke u bërë thirrje kryetarëve të komunave, që në çdo komunë të kenë një shtëpi për kujdesin e të moshuarve.
Disa komuna tashmë po shqyrtojnë ide për ridestinimin e objekteve që aktualisht janë të zbrazta, ndërsa dikur kanë qenë pjesë të kopshteve të fëmijëve, shkolla të mbyllura dhe objekte të tjera që kanë pushuar së shërbyeri qëllimit të tyre të mëparshëm. Por, për realizimin përfundimtar nevojitet kohë për procedura administrative dhe të tjera (ndërtim, rinovim), që do të thotë se ato nuk do të jenë gati nesër. Kjo, nga ana tjetër, e rrit numrin e të interesuarve në listat e pritjes, siç e ka parë edhe vetë Nikolla.
“Duhet të presësh, sidomos për atje ku kushtet janë më të mira. Kur e them këtë e kam fjalën për kushte më të mira për bashkëveprim, që njerëzit të kenë mundësinë për komunikim, të shoqërohen në hapësirat e shtëpisë dhe jashtë. Fakt është se këtu ka shtëpi pa ballkone. Nuk e di nëse është shtëpi apo burg. Për të rriturit këto komunikime janë shumë të rëndësishme, sepse ato kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme dhe e eliminojnë ndjenjën e vetmisë”, shpjegon ai.
Nuk është zgjedhja e parë
Përderisa shumë njerëz ndihen të aftë të kryejnë aktivitete profesionale pas daljes në pension dhe kanë nevojë që edhe më tej të mbeten aktivë, ata që hyjnë në një moshë më të thellë përballen me ndryshime të rëndësishme që e kufizojnë lëvizjen e tyre dhe ua ndryshojnë mundësitë dhe nevojat e tyre. Pavarësisht kësaj, qëndrimi ndaj mundësisë për vendosje në një shtëpi për pleq për të moshuarit është i ndryshëm. Violeta, një pensioniste 82-vjeçare që çdo ditë ecën përgjatë bregut të Vardarit me një shoqe, thotë se nuk e ndjen barrën e moshës.
“Unë jam aktive, të gjitha detyrimet e mia i kryej vetë. Por nëse kjo ndryshon, menjëherë do të vendosesha në një shtëpi. Kam fëmijë që do të kujdeseshin për mua, por e di që jeta është dinamike, ata kanë shumë detyrime dhe nuk dua t’i ngarkoj ata edhe më shumë”, thotë ajo.
Shoqja e saj nuk e ndan të njëjtin mendim.
“Nëse do të kishte mundësi të më sigurohej kujdes, unë do kisha qëndruar në shtëpinë time. S’ka si në shtëpinë tënde”, thotë ajo. Ndërkohë, kërkesat private për punonjës që kujdesen për të moshuarit në kushte shtëpiake nuk janë zvogëluar, por është e vështirë të gjenden të tillë.
Sidoqoftë, vendosja në shtëpi për pleq nuk është zgjedhja e parë për një pjesë të madhe të të rriturve. Trendin e këtillë e zbulon edhe publikimi “Prezantimi i nevojave të të moshuarve në Komunën e Gostivarit” nga muaji mars i vitit 2025, i botuar nga Shoqata për ofrimin e shërbimeve sociale SOCIO Gostivar, i përgatitur me ndihmë financiare nga BE në kuadër të projektit “Nisma lokale për përmirësimin e shërbimeve sociale për të moshuarit”. Në të thuhet se të anketuarit kanë qenë më të interesuar që t’i përdornin shërbimet e kujdesit dhe ndihmës në kushte shtëpiake, 75%. Rreth 15% e të anketuarve ishin të interesuar për shërbimet në një Qendër ditore për të moshuarit, ndërsa vetëm 10% e tyre kanë deklaruar se do t’i përdornin shërbimet në një Shtëpi për pleq.
Kontakt i rëndësishëm social
Kjo i vë organizatat e licencuara nga Ministria e Politikave Sociale si ofruese të shërbimeve sociale – ndihmë dhe përkujdesje në kushte shtëpiake në plan të parë. Ata thonë se vizitat nga përkujdesësit nuk janë vetëm kujdes shëndetësor, por edhe një kontakt i rëndësishëm shoqëror, i cili e përmirëson shëndetin psikologjik dhe emocional të shfrytëzuesve të këtij shërbimi.
“Nga përvoja ime e di se është më e rëndësishme për ta të kenë dikë me të cilin të flasin sesa çdo gjë tjetër. Shumë herë kam hasur në njerëz që dukeshin sikur e kishin humbur zërin. Kur i pyet nëse kanë ndonjë problem me fytin, përgjigjja është pothuajse identike – jo, jo, e kam kështu sepse nuk kam folur me askënd për ditë të tëra”, shpjegon një përkujdesëse.
Të rriturit preferojnë shërbime të organizuara nga institucionet sociale publike dhe organizatat e shoqërisë civile, gjë që thekson rëndësinë e përforcimit të shërbimeve sociale publike dhe sigurimit të aksesueshmërisë së tyre. Nevojat e tyre – nga ndërveprimi shoqëror e deri te blerja e barnave dhe mirëmbajtja e higjienës personale – e demonstrojnë nevojën për të ndërtuar një sistem gjithëpërfshirës për mbështetjen e më të moshuarve, që këto shërbime të mos funksionojnë në bazë të “herë ka, e herë s’ka”.
Të moshuarit janë të interesuar edhe për sa më shumë aktivitete sociale – hapjen e qendrave ditore për të moshuarit, por edhe për rritjen e orëve për shfrytëzuesit e shërbimit të përkujdesjes dhe ndihmës në kushte shtëpiake, ofrimin e kujdesit të veçantë për personat që janë të palëvizshëm, përmirësimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara.
Qëndrueshmëria demografike
Në aspektin demografik vlerësohet se deri në vitin 2055 personat mbi 65 vjet do të përbëjnë 34,2% të popullsisë. Edhe në vitin 2025 shtimi natyror mbeti negativ si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale. Pjesëmarrje më të madhe në numrin e përgjithshëm të lindjeve ka rajoni i Shkupit me 41,6%, ndërsa më të vogël është rajoni Lindor me 6,1%. Pjesëmarrje më të madhe në numrin e përgjithshëm të personave të vdekur, sipas rajoneve, ka rajoni i Shkupit me 30,4%, ndërsa më të vogël rajoni Verilindor me 8%. Bilanci i migrimit jashtë vendit është më i madh në rajonin e Shkupit (3.877 persona), ndërsa më i vogël në rajonin Verilindor (40 persona).
Kryeministri Hristijan Mickoski, në Konferencën Rajonale Ministrore “Udhëheqja e ndryshimit: Rrugët drejt qëndrueshmërisë demografike në përputhje me nevojat e njerëzve”, theksoi se për një kohë të gjatë shumë vende i kanë parë ndryshimet ekskluzivisht përmes prizmit të numrave – sa gjithnjë e më pak jemi, sa plakemi, sa njerëz po largohen.
“Ky i ashtuquajtur shqetësim demografik shpesh krijonte politika që reagonin vonë, në mënyrë të fragmentuar dhe pa një vizion afatgjatë. Por thelbi nuk është vetëm te numrat. Thelbi është te cilësia e jetës, te besimi që qytetarët e kanë në vendin e tyre, te ndjenja se mund të krijojnë një shtëpi, familje, karrierë dhe të ardhme këtu”, theksoi kryeministri.
Sipas tij, problemi kryesor është hendeku në rezistencën demografike, pra mungesa e gatishmërisë për t’i njohur dhe menaxhuar ndryshimet në kohën e duhur. Në këtë kontekst ai e njoftoi Strategjinë e re për Rezistencën Demografike 2026–2046.