Besimtarët muslimanë sot në Maqedoninë e Veriut dhe mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, festë, e cila vijon dy muaj pas Fitër Bajramit, shkruan Portalb.mk.
Në ora 04:29 besimtarët në Shkup në RMV falën namazin e sabahut, më pas midis vijoi programi fetar, ndërsa në orën 05:45 u fal namazi i Bajramit.
Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, dhe u transmetua drejtpërdrejtë në TVM2.
Me këtë rast, Bashkësia Fetare Islame u ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Kurban Bajrami.
Kreu i Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, Shaqir Fetahu, përcolli mesazhin e urimit me rastin e Festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë shpirtërore, humane dhe sociale të kësaj feste të madhe islame.
Në mesazhin e tij, Fetahu theksoi se Kurban Bajrami simbolizon përkushtimin ndaj Zotit, sakrificën, solidaritetin dhe kujdesin për të varfrit, jetimët dhe gjithë shoqërinë. Ai vuri në pah se kjo festë lidhet ngushtë me kryerjen e obligimit të Haxhit dhe prerjen e kurbanëve, duke rikujtuar se pasuria është dhuratë e Zotit dhe duhet të shërbejë për të mirën e njerëzimit.
Pas faljes së namazit, muslimanët uruan njëri-tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie dhe respekti.
Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.
Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.
Për këtë festë urime kanë dërguar krerët e institucioneve shtetërore, njerëzit e jetës politike, akademike, e artistike në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.
Redaksia e Portalb.mk ua uron të gjithë besimtarëve muslimanë festën e Kurban Bajramit, duke uruar për shëndet, mirëqenie, dhe solidaritet.