Manipulimi i fakteve në kohë lufte: Rasti Ukrainë–Iran

Në kohën kur agjenda globale po dominohet nga zhvillimet në Lindjen e Mesme si dhe agresioni i Rusisë mbi Ukrainën që po vazhdon prej më shumë se tri vitesh, disa platforma online në gjuhën shqipe po e shfrytëzojnë këtë situatë për të shpërndarë përmbajtje keqinformuese, shkruan Sbunker.

Kësisoj, një postim i shpërndarë në Facebook pretendon se autoritetet ukrainase kanë deklaruar ekzistencën e një “marrëveshjeje tinëzare” mes presidentit të ShBA-së, Donald Trump dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin për të mos mbështetur Ukrainën, në këmbim të ndryshimit të qëndrimit të Rusisë ndaj Iranit. Ky pretendim është i pabazuar. Nuk ekziston asnjë deklaratë zyrtare nga autoritetet ukrainase, nuk ka burime dhe nuk citohet asnjë medium kredibil ndërkombëtar.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat ndërkombëtare, Rusia ka propozuar në mënyrë jozyrtare një marrëveshje ku do të ndalte shkëmbimet e inteligjencës me Iranin nëse SHBA-ja do të ndalte mbështetjen për Ukrainën. Por kjo ofertë është refuzuar nga SHBA-ja dhe nuk është materializuar në asnjë marrëveshje konkrete.

Për këtë çështje ka folur edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Sipas tij, Rusia u përpoq të shantazhonte Shtetet e Bashkuara duke ofruar ndalimin e ndarjes së inteligjencës ushtarake me Iranin nëse, në këmbim, Uashingtoni do ta shkëpuste Ukrainën nga të dhënat e saj të inteligjencës.

Ai shtoi se inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka prova “të pakundërshtueshme” se Rusia po vazhdon t’i ofrojë inteligjencë Iranit.

Pra raportimet flasin për “shantazh” nga Rusia e jo marrëveshje të arritur siç pretendohet në postim.

Manipulimi përmes gjysmë të vërtetave

Kjo formë dezinformimi është veçanërisht e rrezikshme sepse ndërtohet mbi të dhëna për të cilat ka interes publiku si dhe raportohet vazhdimisht nga mediat. Në kontekstin e tensioneve në Lindjen e Mesme, është e vërtetë që Rusia ka pasur ndërveprime strategjike që lidhen me Iranin dhe konfliktin me SHBA-në. Raportimet tregojnë se Moska ka kërkuar të përdorë këtë situatë për të ndikuar në dinamikën e luftës në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Perëndimin. Megjithatë, transformimi i një propozimi diplomatik të refuzuar në një “marrëveshje sekrete” është shtrembërim i qëllimshëm i realitetit.

Postimi në fjalë përdor elemente tipike të dezinformimit, pra përmend “autoritetet ukrainase” pa asnjë emër konkret, nuk jep asnjë burim apo link verifikues, përdor gjuhë sensacionaliste (“marrëveshje tinëzare”) si dhe shoqërohet me fotografi të politikanëve të njohur për të rritur besueshmërinë.

Ky kombinim bëhet më qëllim që përmbajtja të duket bindëse ani se tërësisht e pabazuar në fakte.

Roli i platformave anonime në përhapjen e dezinformatave

Analiza e profilit që ka publikuar këtë përmbajtje tregon mungesë të theksuar transparence. Nga postimet vërehet se cak i kësaj faqe është Ballkani Perëndimor, kryesisht Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Mungesa e elementeve bazë janë karakteristikë e zakonshme e faqeve që funksionojnë si “amplifikatorë” të dezinformatave, duke shfrytëzuar algoritmet e rrjeteve sociale për përhapje virale.

Në kohë krizash ndërkombëtare, platforma të tilla bëhen veçanërisht aktive ku përdorin konfliktet për të ndikuar opinionin publik përmes narrativave të rreme.

Përmbajtjet konspirative përhapen më shpejtë në kohë luftërash

Konfliktet si ato në Ukrainë dhe Iran krijojnë një ambient ideal për manipulim informativ. Kompleksiteti i situatës dhe shpejtësia e zhvillimeve shpesh e bëjnë të vështirë për publikun të dallojë të vërtetën nga manipulimi.

Analiza të ndryshme tregojnë se gjatë luftërave, përmbajtjet emocionale dhe konspirative përhapen më shpejt dhe në disa raste kanë ndikim më të madh sesa raportimet profesionale.

Në kontekste të tensionuara globale, verifikimi i informacionit dhe mbështetja në burime të besueshme janë mbrojtja kryesore ndaj dezinformatave që synojnë të deformojnë realitetin.

DisinfohubIraniLufta në UkrainëSbunkerUkraina