Mali Sharr, ose si Maqedonia e pavarur po bën park nacional

Tetëmbëdhjetë persona kujdesen për zonën e dytë më të madhe të mbrojtur në vend

Me 627 kilometra katrorë Parku Nacional “Mali Sharr” është pak më i madh se dhjetë komunat e Shkupit së bashku. Për të kujdesen gjithsej 18 persona nga të cilët rreth dhjetë kanë punë të rregullt në terren – roje dhe teknikë të pyjeve, ndërsa të tjerët janë drejtori, dy udhëheqësit, nëpunësit administrativë dhe një teknik i IT-së. Duhet të jenë mbi 50, por para ka vetëm për një të tretën e asaj që ishte parashikuar në sistematizim, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Mali Sharr është parku i parë dhe deri më tani i vetmi nacional i themeluar nga shteti i pavarur i Maqedonisë. Më 30 qershor të këtij viti do të shënohen pesë vjet nga shpallja e tij me ligj të miratuar nga Kuvendi. Tre parqet e tjera – Mavrova, Pelisteri dhe Galiçica e fituan këtë status gjatë kohës së Jugosllavisë. BIRN tashmë ka njoftuar edhe më parë për problemet me të cilat përballen, që nga luftimi i ndërtimeve të paligjshme deri te varshmëria nga shitja e drunjve për ngrohje për t’i siguruar pagat dhe për t’i mbuluar shpenzimet.

Shembulli i Malit Sharr tregon se shteti nuk mëson mjaftueshëm nga përvojat e tij madje edhe kur fillon diçka nga e para. Entuziazmi i punonjësve është burimi kryesor me të cilin ruhet kjo zonë e mbrojtur, e dyta më e madhe në vend.

Mali Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Angazhime deklarative përkundër realitetit

Në një shoqëri demokratike shpallja e një parku nacional është sfidë, tha për BIRN Anella StavrevskaPanajotova, udhëheqëse e Njësisë për mbrojtjen e natyrës. Një proces i gjerë konsultimi me të gjithë palët e interesuara u realizua në muajt para shpalljes dhe u arrit një konsensus se kishte ardhur koha që Mali Sharr të jetë një park nacional dhe të menaxhohej në një mënyrë tjetër.

“Sot mund të them se disa deklarata nga palët e interesuara lokale ishin deklarative sepse ato ndërhyjnë në interesat personale dhe mënyrën se si përdoren burimet e malit, e cila nuk është gjithmonë e qëndrueshme dhe miqësore me ruajtjen e burimeve natyrore”, tha StavrevskaPanajotova.

Ajo është punonjësja e parë e institucionit publik Parku Nacional “Mali Sharr”. Angazhimi i saj ka filluar që para se të regjistrohej ky institucion kur ajo ka punuar si konsulente në planin për menaxhimin me zonën e mbrojtur.

Ajo thotë se që në fazën e hershme pas shpalljes është bërë e qartë se shteti nuk kishte kaluar nëpër një proces të tillë. Në fillim nuk u ishte siguruar asgjë, kështu që atyre u duhej të gjenin vetë hapësira, ta regjistrojnë institucionin dhe t’i bëjnë të gjitha procedurat e tjera që pasuan pas aktit ceremonial në Kuvend.

“Drejtori i parë përfundoi me një vendim, një dokument në dorë dhe kjo ishte e gjitha. Nuk e kisha të qartë se si një krenari e tillë e shtetit përfundoi papritur vetëm në një letër. Procedurat administrative nuk u përfunduan – të regjistrohej, të bëhej një statut, sistematizim, kontrata pune dhe të themelohej institucioni para palëve të tjera të interesuara në shoqëri. Në atë proces, u punësova si konsulent i jashtëm sepse nuk kishte institucion për të më punësuar. Në nëntor të vitit 2022, në ditën e lindjes time, u bëra punonjësja e parë dhe angazhimi im në Malin Sharr vazhdoi”, shton StavrevskaPanajotova.

Mali Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mbretëria e kafshëve të Sharrit

Në një mëngjes me mjegull të dhjetorit rojet Besnik Dauti dhe Alban Dehari hipin në një automjet fuoristradë dhe nisen drejt malit. Ata kanë marrë me vete dy kamera me sensor për lëvizje me të cilat e monitorojnë botën e egër në mal. I vendosin ato me kujdes në një vend ku mund të kalojnë kafshët. I lidhin në një pemë dhe i mbulojnë me myshk dhe gjethe në mënyrë që të mos shihen. Nëse kanë fat kur ta mbledhin materialin do të gjejnë foto dhe video të mira.

Fati u ka shndritur më 7 prill të vitit 2024, kur teksa po shikonin pamjet filmike punonjësit panë një rrëqebull ballkanik duke ecur nëpër mal. Rrëqebulli është një kafshë jashtëzakonisht e rrallë, dhe jashtëzakonisht e rrezikuar që jeton në zonat më të egra të Ballkanit. Prania e tij tregon se Mali i Sharrit ka natyrë të paprekur për ta mbajtur një specie të tillë, e cila për të mbijetuar ka nevojë për kushte specifike. Kjo praktikisht konfirmon se mali ia vlen të mbrohet.

Krahas rrëqebullit kamerat e fshehta deri më tani kanë “kapur” 42 arinj, tetë ujqër, 43 drerë, 144 dhi të egra, 72 derra të egër, si dhe lepuj, dhelpra, vjedulla dhe kafshë të tjera.

Mali Sharr mbi Tetovën. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Egërsim kundër natyrës së egër

Për fat të keq Mali Sharr është pre e disa “egërsive” të tjera, si prerja e paligjshme e pyjeve, deponitë e egra të mbeturinave, ndërtimet e paligjshme, skijimi i paligjshëm, lëvizje të pakontrolluara me automjete të posaçme për terrene të vështira, gjuetia e paligjshme dhe të tjera.

“Për mua problemi numër një janë deponitë e egra, të cilat krijojnë një imazh shumë të keq për vizitorët. Prerja e paligjshme e pyjeve është reduktuar dukshëm, gjë që është gjithashtu rezultat i punës sonë, i rojeve tona”, thotë drejtori i parkut, Evzal Elmazi.

Parku kombëtar shtrihet në shtatë komuna, të cilat janë përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave. Herë pas here organizohen operacione pastrimi, por drejtori Elmazi bën thirrje për një zgjidhje afatgjatë, sidomos për fshatrat malore ku në dimër mbeturinat shpesh edhe nuk mund të mblidhen. Ai propozon që të përcaktohen zona ku do të grumbullohen mbeturinat derisa të krijohen kushtet për mbledhjen e tyre me mekanizim.

Në fshatrat brenda kufijve të parkut jetojnë dhjetëra mijëra njerëz. Millorad Andrijeski, udhëheqësi i Njësisë së përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, sqaron se për ta dru për ngrohje dhe burime të tjera mund të sigurohen pa probleme, por kjo nuk mund të garantohet për ata nga jashtë.

Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Problemet nuk vijnë nga popullata lokale, por nga bizneset dhe nga shteti. Stavrevska-Panajotova thotë se edhe para krijimit të parkut kanë ekzistuar biznese të zhvilluara që ofrojnë turizëm “aventuresk”, pra drejtimin e automjeteve të specializuara, kuadricikleve, motoçikletave dhe të tjerave, nëpër pjesët e paarritshme të malit, madje edhe deri në majat.

“Mund të them lirisht se kjo është një sjellje e “egër”, tha ajo.

Një problem tjetër që e theksojnë drejtoresha dhe udhëheqësit është skijimi në borë të thellë. Kur nuk ka mjaftueshëm borë në terrenin e qendrës së skijimit, skiatorët paguajnë për t’i çuar lart në mal me automjete për dëborë, nga ku mund të zbresin përgjatë shtigjeve të pashënuara. Duke lëvizur nëpër borën e cekët për të arritur borën e thellë këto automjete e shkatërrojnë tokën dhe shkaktojnë dëme.

Mali Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lufta me biznesin e energjetikës

Një plagë e dhimbshme janë hidrocentralet e vegjël. Pak para se të shpallej parku kombëtar, kur ishte e sigurt se kjo do të ndodhte, u dhanë masivisht leje për to që të kapej treni i fundit.

Janë gjithsej 14 që tashmë janë në funksion dhe, siç shpjegon udhëheqësi i Njësisë së mbrojtjes së natyrës, ka presion nga shteti për të ndërtuar të reja. Në Leshnicë ka dy hidrocentrale për të cilat është marrë një leje për përdorimin e burimeve ujore, por kontratat e ndërtimit u kanë skaduar.

“Lokacioni ku do të ndërtohen këto hidrocentrale është në zemër të Malit Sharr. Vijnë qindra turistë që duan ta dinë se pse këtu ka tuba dhe beton. Nëse po e zhvillojmë këtë si një lokacion strategjik për zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e turistëve botërorë në pjesën më të bukur të Mait Sharr, është kontradiktore të kryejmë aktivitete ekonomike që janë në dëm të natyrës dhe popullsisë vendase”, thotë Stavrevska-Panajotova.

PK “Mali Sharr”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Si mund të paguhen bileta në 80 vende?

Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen këta 18 persona, duke u përpjekur që ta ruajnë një zonë të madhe të mbrojtur me rëndësi kombëtare. Ata nuk mund të mbështeten gjithmonë në mbështetjen e institucioneve të tjera, ndërsa ndonjëherë u duhet t’i kundërshtojnë ato, si për ndërtimin e hidrocentraleve, rrugëve lokale e të tjera.

Jo vetëm që nuk mund ta imagjinojnë arritjen e numrit të kërkuar prej 50 punonjësish, por drejtori Elmazi shpreh shqetësim se do të jetë e vështirë të mbeten edhe 18. Problemi kryesor normalisht që janë paratë.

“Është e vështirë të gjesh njerëz adekuat që e duan natyrën, ndërkohë që pagat nuk janë shumë të larta për t’i mbajtur ata, ata duhet të stimulohen disi, duhet të ketë një sistem promovimi si për nëpunësit administrativë – roje të rinj, roje të lartë, etj.”, thotë drejtori.

Sipas ligjit parqet kombëtare janë institucione vetëfinancuese me ligj, që do të thotë se ato duhet t’i fitojnë vetë paratë e tyre. Disa prej tyre e realizojnë këtë duke shitur dru për ngrohje nga prerjet sanitare (heqja e pemëve të sëmura dhe të dëmtuara), por Mali Sharr ka një politikë që të mos varet nga ky burim.

Stanet e Shipkovicës në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Parku merrte para nga shteti, nga fondacionet ndërkombëtare, nga kompanitë që operojnë në të dhe paguajnë një lloj kompensimi, dhe, edhe spe ka pasur momente të stabilitetit financiar, kjo nuk u zgjidh kurrë në plan afatgjatë.

Një nga mënyrat e njohura të financimit në botë është duke shitur bileta për hyrje dhe ka parqe kombëtare, për shembull në Kroaci, që fitojnë mjaft para në këtë mënyrë. Kjo metodë tashmë po zbatohet në Galiçicë dhe Pelister në Maqedoni, por për Malin Sharr është e pamundur.

“Kemi mbi 80 hyrje dhe është një mision i pamundur të vendosim rampa dhe ta kontrollojmë hyrjen”, shton Elmazi.

Dhjetëra mijëra euro për dokumente

Paratë nevojiten jo vetëm për mirëmbajtjen fizike të parkut, por edhe për përgatitjen e dokumenteve për ta mbrojtur, mirëmbajtur dhe përmirësuar natyrën. Për shembull, zona pyjore e Malit Sharr është e ndarë në pesë njësi të veçanta dhe secila prej tyre ka nevojë për një plan menaxhimi. Në vitin e pestë të ekzistencës së tij parku kombëtar ka vetëm një dokument të tillë, ndërkohë që është duke pritur donacione për katër të tjerët.

Andrijeski, udhëheqësi për përdorim të qëndrueshëm, shpjegon se për të bërë një plan nevojitet një ekip prej pesë ose gjashtë personash që duhet të punojë me muaj.

“Fillimisht nevojitet një përgatitje e mirë administrative, mbledhja e hartave dhe dokumenteve, të paktën një muaj. Pastaj vjen mbledhja e të dhënave në terren, e cila është pjesa më e vështirë, më specifike dhe më profesionale e punës. Në fund e gjithë kjo duhet të përpunohet dhe të përgatitet një dokument”, tha ai.

Kostoja e gjithë kësaj sipërmarrjeje? Rreth 40 deri në 50 mijë euro për secilin plan të veçantë. Jo vetëm për pyjet, por edhe për kafshët e egra, frutat dhe për çdo burim. Vetëm atëherë parku kombëtar do të ketë të dhëna me të cilat mund të vendosë se çfarë mund dhe nuk mund të bëhet në të, në interesin më të mirë të natyrës dhe biodiversitetit.

E gjithë kjo duhet të arrihet me një të tretën e punonjësve dhe me financim të paqëndrueshëm.

Parku Kombëtar "Mali Sharr"