Ashtu si vjet, edhe këtë vit në fshatin Veshallë të Malësisë së Tetovës asnjë nxënës nuk është regjistruar në klasën e parë, andaj shkolla do të mbetet e mbyllur. Numri i nxënësve përveç se në Malësinë e Tetovës po bie edhe në nivel shtetëror ku është paralajmëruar mbyllja e dhjetëra shkollave, shkruan Portalb.mk.
Për dallim prej Veshallës, në fshatin Bozofcë janë regjistruar vetëm dy nxënës në klasë të parë, ndërsa numri i përgjithshëm in nxënësve në të gjitha paralelet është gjashtë.
Drejtori i shkollës fillore “Besa”, Shefajet Ramadani thotë se këto paralele periferike do vazhdojnë të funksionojnë me vendim të veçantë si shkolla të mbrojtura.
“Shkollat janë në suazat të mbrojtjes për shkak se gjenden në distancë të largët, janë fshatra malore dhe janë të mbrojtura, kështu që do të funksionojnë, për momentin do të funksionojnë si klasa“, tha Ramadani.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës, Nazmi Dauti bëri të ditur se numri i përgjithshëm i nxënësve të regjistruar në klasë të parë mbetet përafërsisht i ngjashëm me vitin e kaluar.
“Ka qenë trend vit pas viti ku kemi pasur ulje të numrit të nxënësve, duke theksuar që nga viti 2020/21 e këndej, për fat të mirë këtë vit, në krahasim me vitin shkollor 2025/2026, nuk kemi ndonjë ndryshim drastik të numrave, për afërsisht janë numrat e njëjtë të nxënësve në shkollat fillore“, tha Dauti.
Ndërkaq në nivel shtetëror, këtë vit pritet që tre mijë nxënës më pak të ulen në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me vitin e kaluar, ndërkaq ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar edhe mbylljen e 26 shkollave fillore.
“Ajo që kemi arritur të bëjmë është se aktualisht kemi rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 paralele më pak në arsimin e mesëm. Theksoj se kjo bëhet me qëllim që nxënësve t’u mundësohet socializim, cilësi më e mirë e arsimit dhe jo ekzistencë e izoluar në një mjedis të caktuar rural, ku mbizotërojnë parime të caktuara, madje edhe stereotipe të caktuara, dhe ku cilësia e arsimit nuk mund të jetë e përshtatshme për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Sidomos kur bëhet fjalë për paralele të kombinuara ku mësojnë nxënës nga tre klasë të ndryshme, aq sa lejohet me ligj”, tha Janevska.
Rënia e numrit të nxënësve nuk është problem vetëm i këtij viti shkollor. Statistikat tregojnë se që nga viti 2015 e këndej, numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për mbi 28 mijë.
Ndërkaq në pesë vitet e fundit, 30 shkolla janë mbyllur në mbarë vendin.
- LEXO: 200 paralele më pak në arsimin fillor të RMV-së dhe 100 në atë të mesëm për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor
- LEXO: Banka bosh dhe shkolla të mbyllura, për një dekadë në RMV janë “zhdukur” gati 9.000 filloristë
- LEXO: ‘Na detyroni të ikim nga vendi!’, banorët e Kosternikut në këmbë kundër mbylljes së shkollës (VIDEO)
- LEXO: RMV, po shqyrtohet mundësia e mbylljes së shkollave periferike ku ka pak nxënës