Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, paralajmëroi se, me jetëgjatësinë e pritshme prej 76,63 vjetësh, sipas “Vjetarit Statistikor të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2025”, shtrohet pyetja nëse synimi është që qytetarët të punojnë pothuajse deri në fund të jetës së tyre, transmeton Portalb.mk.
Ai vlerëson se është e domosdoshme të krijohen më shumë mundësi për pensionim, ndër to pensioni pas 40 vitesh stazh pune për burrat dhe 35 vitesh për gratë, pensionimi i parakohshëm, njohja e stazhit me beneficione për punëtorët e ndërtimtarisë dhe për profesione të tjera me kushte veçanërisht të vështira pune, si dhe mundësia për blerjen e viteve të stazhit.
Sipas Trendafilovit, nevojiten edhe reforma që do të mundësojnë pension pleqërie sipas moshës ose sipas stazhit të punës, pension pleqërie të parakohshëm dhe pension pleqërie të pjesshëm.
Ai theksoi se është i domosdoshëm edhe një angazhim më intensiv për uljen e punës së padeklaruar dhe për arkëtimin e plotë të kontributeve sociale.
“Për shkak të punës së padeklaruar, shteti humbet rreth 250 milionë euro në vit, të cilat përfundojnë në xhepat e punëdhënësve. Vetëm në këtë mënyrë fondet sociale mund të bëhen realisht të qëndrueshme dhe të sigurojnë mbrojtje për punëtorët dhe qytetarët në rast sëmundjeje, pleqërie dhe papunësie”, porositi Trendafilov.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut është në kategorinë e katërt nga pesë të mundshme në Indeksin global të të drejtave të punëtorëve të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), i cili e rendit atë midis vendeve me shkelje sistematike të të drejtave të punëtorëve.
Raporti thekson më tej se që nga viti 2025, LSM dhe sindikatat e tjera në vend janë përballur me sulme në lidhje me fushatën e tyre për rritjen e pagës minimale. Një shembull është “Protesta e madhe e punëtorëve” në Shkup në janar të këtij viti, e organizuar për shkak të, siç u tha, respektit të pamjaftueshëm për dialogun social dhe të drejtën për negociata kolektive.