Liqeni i Likovës i rrethuar me mbeturina prej mbi 7 muaj: NPK “Pisha” e neglizhon problemin, drejtoresha Valdete Ramadani nuk e hap telefonin

Kanë kaluar mbi shtatë muaj dhe deponia e egër pranë Liqenit të Likovës vazhdon të qëndrojë e papastruar. Edhe pse Inspektorati Komunal pretendon se është ndërmarrë një aksion pastrimi, mbeturinat gjenden gjithandej përreth zonës. Inspektorati fajëson qytetarët e pandërgjegjshëm për ndotjen e vazhdueshme, por pamjet nga terreni flasin për një neglizhencë më të thellë. Banorët alarmojnë se ndotja po dëmton imazhin e një destinacioni turistik që frekuentohet nga vizitorë të shumtë. Ndërkohë, drejtoresha e NPK “Pisha”, Valdete Ramadani refuzon të përgjigjet në pyetjet gazetareske, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të redaksisë, shkruan Portalb.mk.

Vizituam Liqenin e Likovës ku aty shihen mbeturina të ndryshme si materiale ndërtimi, thasë të plastikës, mbeturina të përziera, dhe të tjera.

Po ashtu, në terren vërehet djegia e mbeturinave, të cilat tregojnë se deponia nuk është pastruar, por vetëm janë djegur ato, gjë e cila ndikon negativisht në mjedisin jetësor, dhe paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Deponia e krijuar në Liqenin e Likovës. Foto nga Portalb.mk (09.07.2025)

Banorët e Likovës shprehen të shqetësuar për mbeturinat e hedhura afër liqenit duke theksuar se ato dëmtojnë pamjen dhe bukuritë e kësaj natyre. Sipas tyre ky është një vend turistik që frekuentohet nga vizitorë të vendeve të ndryshme, por shumica e tyre mbeten të zhgënjyer kur përballen me papastërtinë dhe mungesën e përkujdesjes.

Ata theksojnë se problemi nuk qëndron vetëm te qytetarët që nuk respektojnë ambientin, por edhe te institucionet përkatëse, të cilat, sipas tyre, nuk ndërmarrin masa për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të zonës.

Deponia e krijuar në Liqenin e Likovës. Foto nga Portalb.mk (09.07.2025)

Inspektorati Komunal i Komunës së Likovës thekson se kjo deponi është pastruar një herë nga autoritetet përkatëse, por qytetarët e papërgjegjshëm vazhdojnë të hedhin mbeturina.

“Kjo deponi ishte pastruar një herë nga autoritetet përkatëse, me qëllim që të përmirësohej gjendja mjedisore dhe të shmangej përhapja e ndotjes. Megjithatë, fatkeqësisht, pas një kohe të shkurtër, aty janë hedhur sërish mbeturina. Edhe pse në sasi më të vogël krahasuar me gjendjen e mëparshme, ky veprim paraqet një problem serioz dhe vazhdimësinë e një sjelljeje të papërgjegjshme nga ana e qytetarëve”, thanë nga Inspektorati Komunal.

Inspektorati Komunal u bën thirrje qytetarëve që mos të ripërsërisin të njëjtat veprime, sepse për personat e pa përgjegjshëm do të ketë sanksione, në përputhje me ligjet në fuqi.

Deponia e krijuar në Liqenin e Likovës. Foto nga Portalb.mk (09.07.2025)

Nga ana tjetër, drejtoresha e Ndërmarrjes Publike Komunale “Pisha” Likovë, Valdete Ramadani nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske, edhe pse e kontaktuam disa herë përmes emailit zyrtar, thirrjeve telefonike dhe sms porosive.

Deponia e krijuar në Liqenin e Likovës. Foto nga Portalb.mk (09.07.2025)

Kujtojmë që në nëntor 2024 nga NPK Pisha” Likovë theksuan se për pastrimin e deponisë duhej të marrin leje nga Inspektorati Komunal, ndërsa për këtë problem ishin informuar nga Portalb.mk.

Për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet përderisa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre. Komuna e Likovës në qershor është arsyetuar se pastrimi i deponisë së egër bëhet rregullisht.

Përndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi monitoron deponitë e krijuara përreth Komunës së Likovës. Si rezultat i shkrimeve tona, më 27 mars 2025 u bë pastrimi i deponisë së egër në fshatin Sllupçan nga NPK ”Pisha”.

Komuna e LikovësLikovaLiqenNdotja e tokës mbeturinaVideo Lajme