Leximi i parë i pakos së ligjeve për arsimin e lartë duket se nuk nisi mbarë në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport. Punimet u ndërprenë dy herë për shkak se deputetët e opozitës shqiptare kërkuan shtyrjen e mbledhjes për javën e ardhshme, kërkesë që nuk u miratua nga shumica e anëtarëve të këtij komisioni. Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari tha për Alsat se shumica parlamentare po shkel procedurat për organizim të mbledhjeve që, sipas saj, pamundësojë pjesëmarrjen efektive të opozitës. Ajdari tha se njoftimi për mbledhjen është dërguar vetëm një ditë më parë, ndonëse Rregullorja, sipas saj, parasheh afat prej pesë ditësh pune për përgatitje. Ajdari shtoi se deputetët e opozitës ishin të detyruar të merrnin pjesë njëkohësisht në disa komisione parlamentare, gjë që, sipas Ajdarit, e pamundësoi shqyrtimin serioz të projektligjeve.