Ligjërimi, inteligjenca artificiale dhe Foucault (III)

Në kohën e sodit dija dhe e vërteta, nuk kontrollohen më, ato janë disperzuar. Postmodernia ka bërë që të ketë më shumë të vërteta, jo vetëm ajo e autokratëve të katedrave që mbajnë mësim, shënojnë nota dhe “penalizojnë” me riprovim(e). Sot e studimi është i decentralizuar, student-centred, i bazuar te studenti, kurse e vërteta varet nga perspektiva, nga këndvështrimi. Interneti  dhe IA kanë bërë që të thyhet miti për ikonën dhe shenjtorin e quajtur ‘profesor’. Nisma individuale është më e rëndësishmja në mbindërtimin human dhe akademik të studentit. Një student i huaj mes tjerash është shprehur: “Gjatë kohës sime në kolegj, nuk mësova aq shumë nga profesorët sa mësova vetë.” Pra, në epokën e  varësisë digjitale (digital addiction) mbretëria e mësimdhënësit ka marrë fund. Kjo është evidente: Kolegji “David Game” nga Londra zbaton një pilot-proekt ku studentët shfrytëzojnë si ChatGPT për lëndët bazike. Kjo qasje novatore përmbledh vetë thelbin e arsimit të orientuar nga studenti, kështu që studentët e regjistruar në këtë program nuk do të kenë mësues dhe nuk do të kenë nevojë as të ngadalësojnë, as të përshpejtojnë të nxënit e tyre për t’iu përshtatur klasave tradicionale. “Secili prej tyre do të ndjekë rrugën e vet të personalizuar të të nxënit, duke studiuar me ritmin e vet, ndërkohë që do të marrin mbështetje individuale nga trajnerë të përkushtuar të të nxënit, të cilët do ta ndjekin me kujdes përparimin e tyre, duke ofruar komente, udhëzime dhe mentorim për t’u mundësuar secilit student të realizojë potencialin e tij dhe të bëhet një nxënës shumë efektiv dhe i pavarur.” (davidgamecollege.com)

Si përfundim mund të themi se sot, në kohën e network society (Castells, 2010), e internautëve (Tushi, 2024), kur aftësia e orakujve digjitalë për të ndërvepruar drejtpërdrejt me ne është tronditëse dhe transformuese (Lopez, 2024), arsimi dhe ligjërimi klasik kanë ndërruar jetë, paradigma e re është revolucionare; sot në epokën e Decentraland, dija është fluide, s’ka kontroll mbi tëm kur në vend të  plan-programit të imponuar ka co-curriculum, kurrikulë të përpiluar nga profesori dhe studenti; në kuptimin fukoian mbizotëron kundërshtimi i çdo lloj dominimi. Sot teknologjitë digjitale, IA-ja, shfrytëzimi efektiv i tyre, përfshirë edhe arsimin e të gjitha niveleve, janë determinantet e pozitës së individit dhe kombeve në piramidën globale. Agjenda e arsimit të shek. XXI është zhvillimi më i gjerë i të riut në sfera si qytetaria aktive, të menduarit kritik, shkathtësitë digjitale, shprehja artistike, të folurit në publik, vetëdijësimi dhe ndërmarrësia. Të gjitha këto të vulosura nga  platforma të mësimit adaptiv të bazuara në IA dhe nga kënaqësia e të të mësuarit (joy of knowledge), gjegjësisht përvoja pozitive emocionale lidhur me fitimin e njohurive, zbulimi i ideve të reja ose thellimi në një temë të caktuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit