Libri “Rreze Drite” solli monografinë e Gjimnazit të Dibrës

Ka dalë nga shtypi monografia “Themelimi i Gjimnazit të Dibrës-gjenerata e parë 1960/61”- “Rreze Drite”, me autorë Valbona Zunçe Pajaziti dhe Atli Dema. Ky libër sjell materiale të begatë për Gjimnazin në Dibër dhe njëkohësisht paraqet një risi që ka munguar për kohë të gjatë për rrjedhën e arsimit në këtë qytet, transmeton Portalb.mk.

Valbona Zunçe Pajaziti, njëra nga autoret e monografisë “Themelimi i Gjimnazit të Dibrës-gjenerata e parë 1960/61”- “Rreze Drite”, për Portalb.mk tha se kjo monografi paraqet një risi që ka munguar për një kohë të gjatë.

“Monografia për Gjimnazin në Dibër paraqet një risi që ka munguar për një kohë të gjatë, dhe kjo pjesë e historisë kombëtare me theks të veçantë asaj dibrane, duhej të evidentohet. Andaj unë dhe Atli Dema si bashkëautorë, vendosëm që të bëjmë një emision dokumentar dhe një monografi me aktorët e atyre viteve të cilët na treguan se si arritën të jetësojnë idenë e themelimit të Gjimnazit të Dibrës në ato rrethana”, tha Zunçe.

Pamje nga brendësia e librit “Rreze Drite”. Foto:Portalb.mk

Zunçe edhe më tej shtoi se monografia pasqyron edhe historinë e arsimit ndër vite në këtë qytet.

“Pesha në këtë monografi anon te gjenerata e parë ku janë të evidentuar edhe nxënësit me emër dhe mbiemër. Statistikat e dhëna në monografi janë tejet të sakta, sepse jemi shërbyer nga arkivi i shkollës. Këtu nuk mungojnë as edhe evokimi i vetë nxënësve të gjeneratës së parë. Kjo monografi, gjithashtu përfshin edhe temat nga simpoziumi i mbajtur për nder të përvjetorit të themelimit të gjimnazit në Dibër. Në faqet e fundit të monografisë është dhënë edhe biografi e shkurtër e profesorëve të kësaj kohe. Kjo monografi mbetet një thesar i historisë së qytetit dhe popullit arsimdashës dibranë sepse duke përkujtuar breznitë e asaj kohe, ne edukojmë brezat që vijnë që të kenë kujdes në ruajtjen e traditave dhe të vazhdojnë me ngulm të lartësojnë institucionet të cilat janë fituar me sakrificë, guxim dhe vendosmëri”, tha Valbona Zunçe Pajaziti

Pamje nga brendësia e librit “Rreze Drite”. Foto:Portalb.mk

Në tërësi kjo monografi është një thesar i historisë së qytetit dhe popullit arsimdashës dibranë që përkujton punën dhe misionin e gjeneratave të para që ndikuan në zhvillimin e Dibrës, si në aspektin arsimor ashtu edhe në atë kombëtar në shumë dimensione.

DibraKultura shqiptareKulturë lajme