Kuvendi sot, në kuadër të vazhdimit të seancës së 106-të, miratoi ndryshimet në Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor, me të cilat rregullohet përdorimi i trotinetëve elektrikë në komunikacionin publik, ose siç përcaktohen në ligj, “automjete të lehta elektrike”. Ndryshimet në ligj, të cilat një javë më parë, më 24 qershor, u propozuan nga një grup deputetësh të shumicës qeverisëse, u miratuan me shumicë të dyfishtë. Nga gjithsej 64 deputetë të pranishëm në sallën plenare, të gjithë 64 votuan pro, transmeton Portalb.mk.
“Ju njoftoj se, në bazë të pikës 2 të Amendamentit X të Kushtetutës së Maqedonisë dhe nenit 11, paragrafi 3 të Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ky ligj miratohet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, duke qenë e nevojshme edhe shumica e dyfishtë, përkatësisht shumica e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në shtet”, tha nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, i cili drejtoi seancën.
Pas votimit sipas parimit të Badinterit, ligji u miratua edhe me 17 vota “pro” nga deputetët e bashkësive joshumicë.
Se do të rregullohej përdorimi i trotinetëve elektrikë në komunikacion ishte paralajmëruar fillimisht nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në mesin e muajit maj, pas disa rasteve në të cilat humbën jetën ose u lënduan të mitur që drejtonin këtë lloj mjeti transporti.
Formalisht, propozim-ndryshimet në Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor, që kanë të bëjnë me këtë çështje, u futën në rend dite të seancës së 106-të të mërkurën e javës së kaluar, sipas procedurës së shkurtuar.
“Shifrat janë alarmante – dhjetëra të vdekur dhe qindra të lënduar rëndë në aksidente trafiku gjatë dy viteve të fundit. Qëllimi nuk është ndëshkimi, por mbrojtja e jetës, veçanërisht e të rinjve. Siguria nuk ka çmim. Më shumë rregull në rrugë do të thotë më pak aksidente dhe një e ardhme më e sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, tha koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Miceski, duke arsyetuar propozim-ndryshimet.
Duke iu referuar analizave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai tha se në më shumë se gjysmën e aksidenteve me trotinetë elektrikë, drejtuesit kanë qenë të moshës 16 dhe 17 vjeç. Deputeti la të hapur mundësinë për ndryshime të tjera ligjore në të ardhmen, në përputhje me analizat që do të dalin nga zbatimi i këtij ligji.
Me miratimin e ndryshimeve, shpejtësia maksimale e trotinetëve elektrikë kufizohet në 20 kilometra në orë, në vend të 25 kilometrave në orë sa ishte deri tani.
Personave nën moshën 18 vjeç u ndalohet plotësisht drejtimi i trotinetëve elektrikë, ndërsa ashpërsohen edhe sanksionet për shkeljet e parashikuara me ligj.
“Në mënyrë thelbësore ndryshohet shpejtësia e lejuar për automjetet e lehta elektrike, duke u përcaktuar shpejtësia maksimale prej 20 kilometrash në orë, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian për rregullimin e qarkullimit të këtij lloji mjetesh. Me qëllim uljen e shkeljeve të konstatuara me trotinetë elektrikë, parashikohet edhe ashpërsimi i kushteve për drejtimin e tyre, duke e rritur kufirin minimal të moshës në 18 vjeç, si dhe ashpërsimi i politikës ndëshkuese për shkelësit”, thuhet në arsyetimin e ligjit.
Në raste të caktuara, krahas gjobës, parashikohet edhe konfiskimi i mjetit. Kjo do të zbatohet nëse trotineti elektrik drejtohet nga një i mitur, nëse tejkalohet shpejtësia e lejuar, nëse në trotinet transportohet edhe një person tjetër, si dhe në rast drejtimi nën ndikimin e alkoolit.
Përveç rastit të parë, dispozitat e tjera që parashikojnë konfiskimin e trotinetit elektrik zbatohen për personat 18 vjeç e lart, të cilët me ndryshimet ligjore marrin detyrime të reja gjatë përdorimit të këtij lloji mjeti në komunikacion.
“Nga drejtuesi i automjetit të lehtë elektrik ndalohet drejtimi në mënyrë që cenon stabilitetin e mjetit ose pengon dhe rrezikon sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion. Veçanërisht ndalohet heqja e duarve nga timoni, kapja pas një mjeti tjetër, drejtimi mbi një rrotë, transportimi, tërheqja ose shtyrja e sendeve dhe veprime të ngjashme. Drejtuesi i automjetit të lehtë elektrik nuk guxon të transportojë persona të tjerë gjatë drejtimit të mjetit. Gjithashtu, ai nuk guxon të drejtojë ose të fillojë drejtimin e mjetit nëse në organizëm ka alkool ose shfaq shenja të dehjes”, thuhet në një pjesë të dispozitave që tashmë janë pjesë e Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor.