Kuvendi i RMV-së e miratoi ligjin që e mundëson akreditimin e Medresesë “Isa Beu”

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me 80 vota “për” në seancën e 64-t u miratua Ligji për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare. Ata e konsiderojnë këtë “hap gjigant”, transmeton Portalb.mk.

“Ky është një moment i artë për arsimin fetar dhe për barazinë arsimore në vendin tonë. Nga shtatori 2025, nxënësit e Medresesë “Isa Beu” do të gëzojnë të njëjtat të drejta, privilegje dhe status si maturantët e të gjitha shkollave të mesme të akredituara në vend”, deklaruan nga Medreseja “Isa Beu”.

Ata e vlerësojnë si “ditë historike” për Medresenë, duke falënderuar institucionet dhe individët që kanë kontribuar në finalizimin e këtij procesi.

“Me këtë, Medreseja “Isa Beu” në Shkup akreditohet dhe barazohet me të gjitha shkollat e mesme në vend, dhe diplomat e nxënësve dhe nxënëseve të kësaj shkolle tashmë pranohen zyrtarisht”, deklaruan nga BFI-ja.

Përmes këtij ligji, nxënësit e shkollave të mesme fetare do të mund të kalojnë maturën shtetërore dhe të regjistrohen në universitetet e vendit, njëjtë si nxënësit tjerë.

Ndryshe, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi i ka kërkuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të mos votojë për projektligjin për institucionet e arsimit të mesëm të komuniteteve fetare, sipas tyre ligji është jokushtetues dhe ligjërisht i papajtueshëm, duke cenuar karakterin sekular të shtetit.

Më 15 korrik në seancën qeveritare u miratua ligji pë shkollat e mesme, ligj që njeh diplomën e medresesë. Ata presin që ky propozim-ligj të miratohet edhe në Kuvendin e RMV-së.

Gjykata Kushtetuese më 30 prill hodhi poshtë Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë, Shkup, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars 2024. Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz.

Ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevskavitin e kaluar kishte deklaruar se maturantët e kësaj medrese nuk do të mund të regjistrohen në fakultetet tjera. Më 26 mars të vitit 2024, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, kishte njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria. Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.

Bashkësia Fetare Islame RMV (BFI)Feja IslameMedreseMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave të mesmeShkolla fetareShkolla të mesme