Gjykata Kushtetuese, pas një viti publikoi mendimin e përbashkët “Amicus Curiae” ose Këshillë miqësore e Komisionit të Venedikut dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Demokraci dhe Dinjitet Njerëzor në Këshillin e Evropës lidhur me lëndën për përdorimin për Përdorimin e Gjuhëve. Edhe pse dokumenti në ueb-faqen e Komisionit të Venecias është aty që para një viti, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur ta publikojë një vit më vonë. Në draftin e përgjigjeve, thuhet se “asgjë nuk e pengon Shtetin të garantojë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë administrimin e duhur të drejtësisë. Por, nëse bëhet një zgjedhje e tillë, është edhe më thelbësore të sigurohen burime të mjaftueshme financiare që lejojnë zbatimin e dispozitave ligjore”. Që nënkupton mes rreshtash se Venedikut e lë këtë çështje në dorë të shtetit dhe financave të tij, raporton Portalb.mk.
“Megjithatë, nga perspektiva e sundimit të së drejtës, është po aq e rëndësishme që këto dispozita ligjore të zbatohen (mund të zbatohen) në praktikë. Komisioni i Venedikut dhe “DGII” nënvizojnë se standardet evropiane dhe ndërkombëtare të analizuara në këtë mendim të përbashkët amicus curiae nuk janë vetëm përcaktimi i qartë i të drejtave gjuhësore të pakicave kombëtare nga normat ligjore. Zbatimi i duhur i Ligjit është një aspekt thelbësor i sundimit të së drejtës”, thuhet në dokument.
Më tej thuhet se Komisioni i Venedikut ka konfirmuar vazhdimisht se marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave kërkojnë që shtetet anëtare të gjejnë një ekuilibër të drejtë midis mbrojtjes së të drejtave gjuhësore të personave që u përkasin pakicave kombëtare, nga njëra anë, dhe ruajtjes së kohezionit midis grupeve të ndryshme gjuhësore në shtet.
“Duke e pasur parasysh rëndësinë e së drejtës për të përdorur gjuhët e pakicave – me gojë dhe me shkrim, privatisht dhe publikisht, duke përfshirë – në kushte të caktuara – në komunikim me organet administrative – është thelbësore që çdo vendim që lidhet me politikat gjuhësore dhe gëzimin e të drejtave gjuhësore të miratohet në konsultim të ngushtë me përfaqësuesit e pakicave, për të siguruar që shqetësimet e personave që u përkasin pakicave kombëtare janë merrë parasysh në mënyrë adekuate dhe efektive”, thuhet në Komisionin e Venedikut.
Të drejtat gjuhësore, thotë Komisioni, janë efektive vetëm nëse mund të gëzohen në sferën publike.
Me shkresë të datës 20 nëntor 2024, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut kërkoi mendim amicus curiae nga Komisioni i Venedikut në kontekstin e një lënde që është në procedurë para Gjykatës, në lidhje me kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të miratuar nga Parlamenti në mars të vitit 2018.
Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN.
Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.