Kritika nga përdoruesit, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe mbetet i hapur për përmirësime

Pas publikimit online të “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe”, përdoruesit kanë evidentuar pasaktësi dhe mospërputhje në disa përkufizime, kuptime dhe shembuj. Këto vërejtje kanë ngritur shqetësimin se një vepër që synon të jetë referencë standarde duhet të ketë kontroll më të rreptë redaktues. Për këtë arsye, fjalori është vendosur si version i hapur në platformë online, që gabimet të identifikohen dhe të korrigjohen. Sugjerimet priten të shqyrtohen nga një grup pune dhe korrigjimet e thjeshta të reflektohen menjëherë. Synimi është që versioni final të dalë më i saktë dhe më i besueshëm për publikun, shkruan Portalb.mk.

Valter Memisha akademik dhe drejtues i projektit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe për Portalb.mk tha se e kanë paraqitur fjalorin online si maket për 9 muaj, deri në fund të nëntorit 2026, që të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me përdoruesin dhe të pasurohet me vërejtje e sugjerime që sjellin përmirësime reale.

“Fjalori ka një vëllim prej 10.800 faqe dhe patjetër nuk mund të jetë i përsosur për njërën apo tjetrën arsye. Autorët e tij, me miratimin e Akademisë së Shkencave, bën një veprim shumë domethënës: e paraqitën veprën si maket në sistemin online për 9 muaj, deri në fund të nëntorit 2026, me qëllim që ajo të kontaktojë me përdoruesin. Në jemi të hapur për vërejtje e sugjerim që çojnë në përmirësime, në plotësime dhe në heqjen e ndonjë fjale të panevojshme, të ndonjë kuptimi a shembulli që nuk duhet të jetë në një vepër të tillë. Kjo tregon se vepra është e hapur, por nuk do të thotë assesi që dikush të bëjë vërejtje pa vend , madje dhe të fyejë dikë që ka punuar për ta hartuar atë. Fjalori përgjithëson dhe nuk është enciklopedi që të japë informacion shterues për një nocion, për një realie, për një send, për një frymor, për tipar, për një veprim etj. çfarëdo”, tha Memisha.

Memisha shtoi se fjalori i drejtohet gjithë spektrit të përdoruesve të shqipes dhe është i hapur për vërejtje: në faqen zyrtare ka një adresë të posaçme dhe një grup pune që i analizon njëpërnjë dhe reflekton korrigjimet, kur ato janë lehtësisht të ndreqshme.

“Vepra, me pasurinë që ngërthen, i drejtohet gjithë spektrit të përdoruesve të shqipes: shkollarit, studiuesit, gazetarit, përkthyesit, politikanit, specialistit të fushave të ndryshme etj. Ai, jo vetëm ka karakter informues (të jep informacion përmes fjalës), por dhe synon që të jetë pasqyrë e shqipes bashkëkohore dhe të ngrejë në normë shumë njësi që mund të jenë pasuri e shqipes në dialekte e të folme krahinore etj. “Për vërejtjet e sygjerimet e bëra, në faqen e Fjalorit ka një adresë të posaçme dhe një grup pune që i ndjek ato hap pas hapi. Ato shihen, analizohen njëpërnjë, përzgjidhen dhe hidhen në fjalor atypëraty, kur është është diçka lehtësisht e korrigjueshme, ndonjë element që mund të ndreqet në çast etj. Zyrtarisht grupi i ngritur për këtë proces, duhet mblidhet çdo tremuaj deri në nëntor. Pas kësaj kohe do të punohet për 3 (tre) muaj rresht për të pasqyruar vërejtjet e për të bërë ndreqjet apo ndryshimet e nevojshme”, tha Memisha.

Profesori Berton Sulejmani në cilësinë e përfaqësuesit kryesor të bashkëpunëtorëve nga Maqedonia e Veriut, për Portalb.mk tha se Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe nuk ndjek modat, përfshin vetëm njësitë me përdorim të dëshmuar e të verifikueshëm; standardi është busulla, por nuk është i ngrirë përditësohet me kujdes, mbi bazë shkencore.

“Përzgjedhja e njësive leksikore te Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është bërë mbi bazë kriteresh të qëndrueshme shkencore. Parësor ka qenë përdorimi i dëshmuar dhe i qëndrueshëm, si dhe i verifikueshëm në burime të shkruara dhe në ligjërimin publik, institucional, letrar dhe akademik. Fjalët e reja, kuptimet e zgjeruara dhe njësitë frazeologjike nuk janë përfshirë mbi baza rastësore, por vetëm kur kanë treguar prani të përsëritur dhe funksion të qartë në komunikim. Një kriter po aq i rëndësishëm ka qenë qartësia dhe qëndrueshmëria semantike. Fjalori nuk synon të regjistrojë çdo dukuri kalimtare të ligjërimit, por ato njësi që kanë hyrë në përdorim të qëndrueshëm dhe kanë fituar funksion të përcaktuar në sistemin e gjuhës. Raporti mes gjuhës standarde shqipe dhe gjuhës së gjallë është ruajtur duke e vendosur standardin si pikë referimi normative, ndërsa zhvillimet e gjuhës së përdorur janë pasqyruar në mënyrë të kontrolluar, përmes shënimeve përkatëse stilistike ose kontekstuale. Qasja e ndjekur mbështetet në bindjen se standardi nuk është i ngrirë, pra nuk është i pandryshueshëm, por përditësohet me kujdes dhe vetëm mbi bazë të vlerësimit shkencor të përdorimit të gjuhës”, tha Sulejmani.

Ai shtoi se versioni elektronik i fjalorit është hapje e procesit leksikografik, jo përfundim i pakthyeshëm: çdo vërejtje verifikohet shkencërisht dhe vetëm ndërhyrjet me dëshmi të qarta përfshihen në përditësime.”

“Dalja në versionin elektronik (https://fjalori.online) e fjalorit është konceptuar që në fillim si hapje e procesit leksikografik, jo si përfundim i pakthyeshëm i tij. Vërejtjet dhe sugjerimet që vijnë nga përdoruesit dhe nga komuniteti profesional mblidhen, sistemohen dhe i nënshtrohen shqyrtimit nga grupe pune me kompetencë përkatëse, në mënyrë kolegjiale. Çdo vërejtje verifikohet mbi bazë të argumentimit shkencor, përmes krahasimit me korpuse gjuhësore, burime historike dhe literaturë leksikografike. Vetëm ndërhyrjet e mbështetura në dëshmi të qarta përfshihen në përditësimet e fjalorit. Është e rëndësishme të theksohet se kritika publike, në vetvete, nuk përbën automatikisht korrigjim shkencor; mekanizmi i rishikimit synon të ruajë autoritetin e veprës, pa u mbyllur ndaj kritikës së arsyetuar dhe profesionale. Sa i përket transparencës, synimi është që ndryshimet me peshë të pasqyrohen në versionet e përditësuara dhe të dokumentohen qartë, në përputhje me praktikat bashkëkohore të leksikografisë shkencore”, tha Sulejmani.

Në pyetjen nëse fjalori reflekton realisht hapësirën mbarëkombëtare të gjuhës shqipe, përfshirë Maqedoninë e Veriut, ai tha se po.

“Po. Në cilësinë e përfaqësuesit kryesor të bashkëpunëtorëve nga Maqedonia e Veriut, mund të them se Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është menduar dhe ndërtuar si vepër mbarëkombëtare, jo e kufizuar në një hapësirë të vetme shtetërore apo institucionale. Burimet e shfrytëzuara përfshijnë autorë, tekste dhe dëshmi gjuhësore nga e gjithë hapësira shqipfolëse, përfshirë edhe trevat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të pranishme në krijimtarinë letrare, në studimet gjuhësore dhe në praktikën institucionale të shqipes. Kjo përfshirje nuk ka karakter formal, por pasqyron një realitet objektiv: gjuha shqipe është një hapësirë e përbashkët kulturore dhe shkencore, e cila zhvillohet përtej kufijve administrativë, brenda kornizës së gjuhës standarde shqipe”, tha Sulejmani.

Fjalori i Madh të Gjuhës Shqipe u lëshua në përdorim para pak ditëve.

Kultura shqiptareKulturë lajme