Krijimtaria në fokus: “Oeneum” spikati zërat e rinj krijues

Në hapësirat e Qendrës Kulturore për të Rinj në Tetovë, Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” realizoi debat rinor me temën “Arti i të krijuarit, arti i fjalës së bukur”, duke sjellë në një vend të rinj të apasionuar pas letërsisë, shkrimit dhe krijimtarisë artistike, shkruan Portalb.mk.

Ky aktivitet u zhvillua si vazhdimësi e projektit “Festivali poetik ‘Krijuesit e rinj 2025’”, me qëllim nxitjen e leximit, kultivimin e shprehjes së bukur dhe inkurajimin e zërave të rinj krijues. Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit ndanë mendime dhe përvoja mbi procesin krijues, rëndësinë e fjalës në formësimin e ideve dhe emocioneve, si dhe rolin e artit në ndërtimin e identitetit kulturor.

Në një atmosferë të hapur, të rinjtë diskutuan për sfidat dhe motivimet që i shoqërojnë në krijim, duke theksuar se fjala e bukur dhe arti i të shkruarit janë ura që lidhin mendimin, ndjesinë dhe realitetin. Aktiviteti shërbeu edhe si hapësirë frymëzimi, ku u theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme për talentet e reja dhe krijimit të mundësive konkrete për prezantimin e punës së tyre. 

Foto nga debati rinor “Arti i të krijuarit arti i fjalës së bukur”. Foto:Muaxher Haruni

Sadije Aliti, kryetare e Shoqatës, në fjalën përshëndetëse e theksoi rëndësinë e organizimit të këtij debati kulturor.

“Festivali poetik krijuesit e rinj 2025”, është realizuar në disa etapa. Ky debat ishte pjesë e këtij projekti me të vetmin qëllim që të nxis dhe të rit motivin krijues te gjeneratat e reja, projekt i finansuar nga Komuna e Tetovës”, tha Aliti.

Drejtoresha e Qendrës rinore në Tetovë, Shpresa Ramizi, e faleminderoi shoqatën “Oeneum” për bashkëpunimin e tyre duke theksuar se dyert e qendrës janë çdo herë të hapura për të përkrahur e mbështetur aktivitete për të rinjtë.

Debati rinor shqyrtoi këto çështje: motivi, tema, ideja dhe ndikimi i intelelegjencës artificiale në krijimet letare dhe përkrahja morale e materiale  institucionale.

Ligjërues në këtë teme ishin: dr.Ejup Ajdini, profesor universitar dhe Muaxher Haruni, profesor, përgjegjës i Departamentit të të rinjëve i shoqatës “Oeneum”. Moderatore të debatit rinor ishin anëtaret e reja të Oeneum-it, Merita Isaki dhe Azra Alia.

Foto nga debati rinor “Arti i të krijuarit arti i fjalës së bukur”. Foto:Muaxher Haruni

Në temën “Arti i të krijuarit, arti i fjalës së bukur”, krijues të rinj, studiues dhe adhurues të fjalës së shkruar debatuan mbi transformimet që po pëson krijimtaria letrare në epokën e globalizimit. Aktivitete me të rinjt, orë letrare dhe debate kulturore, ‘Oeneum’ do të ketë edhe në disa shkolla të mesme në Tetovë.

Foto nga debati rinor “Arti i të krijuarit arti i fjalës së bukur”. Foto:Muaxher Haruni
Kultura shqiptareKulturë lajmeTetova