Komunës së Tearcës EVN-ja ia ndërpreu rrymën për shkak të faturave të papaguara 

Objekti i Komunës së Tearcës sot mbeti pa rrymë elektrike për shkak të faturave të papaguara ndaj EVN-së. Megjithatë, siç informuan nga komuna dhe EVN-ja për Portalb.mk, faturat janë paguar dhe do të bëhet përsëri lidhja. 

Komunës së Tearcës sot iu ndërpre rryma për shkak të faturave të papaguara, edhe pse kryetari i komunës Nuhi Neziri për Portalb.mk thotë se nuk kanë borxhe.

“Janë çështje teknike, nuk kemi borxhe me EVN-në, jemi krejt në rregull”, tha Neziri.

Por një gjë të tillë e mohuan nga EVN-ja.

“Komuna e Tearcës është shkyçur si rezultat i faturave të papaguara ndaj elektrodistribuimit”, thanë nga EVN. 

Megjithatë kryetari i komunës thotë se “elektrodistributori është bërë faktor ngaqë nuk ka kontaktuar me ne”. 

Neziri tha se kjo çështje është zgjidhur dhe presin konfirmim. 

Edhe nga EVN-ja për Portalb.mk e konfirmuan se komuna ka paguar dhe se do të bëjnë lidhjen përsëri. 

Për këtë problem kritikuan eksponentë të koalicionit VLEN.

Energjia elektrike - rrymaEVNKomuna e TearcësNuhi Neziri